
Jemi në Saraqinisht të Gjirokastrës.
Rruga drejt këtij fshati, ngjan surreale. Duket si parajsë rruga që ndan në mes fusha e kodra jeshile të ndezur, që ndërthuren me të verdhën e lules së gjineshtrës. Thonë se janë perfekte për fushat e golfit. Ku i dihet! Ndoshta një ditë do të tregojmë edhe për ato fusha. Deri atëherë, ka plot për të treguar për këtë vend.
Në Saraqinisht, shkuam për profesor Vason. Një profesor fizike, që hapi shtëpinë e të parëve. E ç’shtëpi thoni! Është 500-vjeçare. Ka pritur e përcjellë kahera, por tani, i shërben turizmit. Turizmit të një qyteti që është hapur cep e më cep. Se ku ka si Gjirokastra.
Profesor Vasil Bakuli, një pedagog i fizikës në Universitetin e Gjirokastrës kur doli në pension u kthye në shtëpinë e prindërve dhe e hapi atë jo më vetëm për familjen, por edhe për turistët.
Në shtëpinë 500-vjeçare është gjithçka që kanë lënë prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit e profesor Vasos. Aty është tavani i vjetër ku ngjyrat nuk kanë ndryshuar asnjëherë, janë qëndismat e nënës lunxhiote, janë zogjtë që këndojnë si askund, janë gatimet e gruas së profesorit dhe është rakia në sofat. Të gjitha këto i pëlqejnë turistëve, të cilët janë kryesisht ata që bujtin te shtëpia e profesor Vasos./L.F-dritare.net

















