Rama për banjat e Bënjës: S’ka shkatërrim, tjetër raketë digjitale
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar në rrjetet sociale dhe akuzave për ndërhyrje në zonën e Banjave Termale të Bënjës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama i ka cilësuar reagimet si një fushatë të nxitur përmes “algoritmit digjital”, ndërsa ka mohuar pretendimet për shkatërrim të zonës, duke deklaruar se bëhet fjalë për një projekt publik rigjenerimi.
"Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës.
Me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri.
Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit.", shkroi Rama./K.C/dritare.net