Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Iva Tiço flet për amësinë: Gruaja nuk duhet të jetojë nën presionin e orës biologjike

Iva Tiço flet për amësinë: Gruaja nuk duhet të

Në një intervistë në podkastin "Pa komplekse" me Elion Kollçakun në DritareTV, shkrimtarja dhe gazetarja Iva Tiço ka folur gjerësisht për presionin shoqëror mbi gratë, pritshmëritë për amësinë dhe kontrollin që shpesh ushtrohet mbi jetën dhe trupin e tyre.

Ajo u ndal te mënyra se si shoqëria ka ndërtuar role të ndryshme gjinore dhe si këto role kanë ndikuar historikisht te gratë, duke theksuar se edhe arritjet e lëvizjeve feministe nuk kanë ardhur gjithmonë në mënyrë të drejtë apo të barabartë. Sipas saj, shumë nga ndryshimet historike që kanë sjellë avancimin e grave kanë ndodhur paralelisht me kriza dhe nevoja shoqërore, si luftërat botërore. Iva theksoi se një nga arritjet më të rëndësishme të shoqërisë moderne është liria e zgjedhjes. Megjithatë, ajo shtoi se gratë shpesh përballen me një barrë të dyfishtë krahasuar me burrat.

“Për gratë pritet të mbajnë familjen nga ana fizike, materiale, të sjellin të ardhura në shtëpi po aq sa burri dhe pastaj vjen edhe pjesa biologjike,” tha ajo.

Duke folur për amësinë dhe kohën biologjike, Iva theksoi tensionin mes zhvillimit personal dhe kufizimeve të trupit.

"Pastaj hyn edhe një tjetër problem shumë i madh, ai biologjik: dëshira për të qenë e realizuar dhe koha që lidhet me trupin njerëzor, i cili është i ndërtuar që disa gjëra, si riprodhimi dhe rritja e fëmijëve, i përkasin më shumë rinisë. Psikologjikisht mund të jesh më mirë mbi të 40-at, por fizikisht je ende nën këtë kufi dhe shpesh dëshira për t’u realizuar përplaset me dëshirën tjetër për të krijuar familje."

Sa i përket mëmësisë, Iva thotë se “zilja” për të nuk ka tingëlluar kurrë. Nuk ka pasur ndonjë alarm të brendshëm siç e përshkruajnë disa gra. Përkundrazi, ajo shprehet se është rritur me një bindje të rrënjosur nga familja: të jetë zonjë e vetes, të ecë përpara me forcat e saj dhe të mos varet nga askush.

Ajo thekson se gjithmonë ka dashur të krijojë familje, por jo me nxitimin e “orës biologjike” apo me ndjenjën e mungesës. Sipas saj, nuk ka kërkuar kurrë një partner thjesht sepse “erdhi koha” apo sepse “u mbyllën mundësitë”, por vetëm kur ka ndier se ka gjetur personin e duhur, atë me të cilin do të donte të ndante jetën deri në fund.

“Kam gjetur atë person në një moshë relativisht të vonë,” thotë ajo, duke shtuar se në atë moment nuk ka ndier nevojën të hyjë në një proces të komplikuar biologjik e mjekësor për të pasur fëmijë, të cilin e përshkruan si të ngarkuar emocionalisht dhe teknikisht.

Ajo shpreh respekt për gratë që zgjedhin të bëhen nëna vetëm dhe që ia dalin përmes rrugëve të vështira, përfshirë edhe trajtimet mjekësore, por pranon se kjo nuk ka qenë rruga e saj. Për të, familja nuk kufizohet vetëm te një koncept i ngushtë: ajo përfshin bashkëshortin, vëllain, mbesat, shoqet e ngushta dhe fëmijët e tyre, një rreth më i gjerë dashurie dhe lidhjesh.

“I jam mirënjohëse jetës dhe kam mësuar të numëroj bekimet, jo mungesat,” shprehet ajo, duke theksuar se mungesën e fëmijëve nuk e ka përjetuar kurrë si boshllëk.

Në vijim, ajo prek edhe një debat më të gjerë shoqëror mbi familjen dhe paragjykimet që lidhen me të. Sipas saj, shpesh njerëzit gjykojnë nga përvoja e tyre personale dhe e projektojnë atë te të tjerët, duke menduar se lumturia duhet të ketë vetëm një formë.

Ajo vëren se shumë gra përballen me mungesë takti dhe pyetje të drejtpërdrejta që lidhen me martesën apo fëmijët, të cilat shpesh i lëndojnë thellë. Sipas saj, këto ndërhyrje bëhen edhe më të vështira kur shoqërohen me gjykim shoqëror, sikur mungesa e fëmijëve të jetë një dështim personal.

“Ka gra që e vuajnë shumë këtë presion,” thekson ajo, duke shtuar se përtej çdo gjykimi, askush nuk e di betejën që një njeri mund të ketë në jetën e tij private./dritare.net