Bashar al-Assad lë politikën, Kremlini i mbyll dyert. Jeta e re e ish-presidentit në Moskë!
Dritare.net

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, raportohet se ka braktisur përfundimisht politikën dhe është rikthyer te profesioni i tij i mëparshëm si mjek, duke ndjekur studime dhe kurse të oftalmologjisë në Moskë. Sipas gazetës The Guardian, Assad po mëson gjithashtu gjuhën ruse dhe po rifreskon njohuritë e tij mjekësore, një fushë që e kishte ushtruar edhe para shpërthimit të luftës në Siri.
Familja Assad jeton aktualisht një jetë luksoze, por tërësisht të izoluar, kryesisht në Moskë dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pavarësisht pasurisë financiare dhe mungesës së problemeve ekonomike, burime pranë tyre bëjnë me dije se familja nuk gëzon më asnjë ndikim politik. Kremlini thuhet se nuk e konsideron më Assad-in figurë të rëndësishme dhe i ka ndaluar çdo dalje publike, intervistë apo përfshirje në media dhe në aktivitete politike.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Asma al-Assad, ka arritur të rikuperohet nga leucemia pas një trajtimi eksperimental të ndjekur në Moskë. Fëmijët e familjes po përshtaten me realitetin e ri larg pushtetit, me vajzën e Assad-it që së fundmi ka përfunduar studimet universitare në Moskë. Sipas burimeve, ish-udhëheqësi sirian dhe familja e tij vazhdojnë të jetojnë në siguri, por larg vëmendjes publike dhe qendrave të vendimmarrjes./K.C/dritare.net