
Deklarata për armët bërthamore/ NATO dënon retorikën e rrezikshme të Putinit
Dritare.net
NATO ka dënuar retorikën e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Rusisë pas vendimit të Vladimir Putin për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi. Organizata po monitoron nga afër situatën dhe tha se nuk beson se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore. "NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën", tha një zëdhënës i Aleancës Atlantike, duke shtuar se nuk ka parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë.
Zëdhënësi i NATO-s më pas e përkufizoi referencën për praninë e armëve bërthamore në vendet aleate si totalisht mashtruese duke shtuar se veprojnë në përputhje të plotë me detyrimet e tyre ndërkombëtare.
Bjellorusia ndan një kufi të gjatë me Ukrainën, si dhe me anëtarët e NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Ukraina ka bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të trajtuar kërcënimin e mundshëm pas njoftimit të presidentit Putin. Presidenti Putin tha se Moska nuk do të transferonte kontrollin e armëve të saj në Minsk. Ukraina thotë se kjo shkel marrëveshjet e mospërhapjes bërthamore, një akuzë që Presidenti Putin e ka mohuar.
Aleanca ushtarake akuzoi gjithashtu Rusinë për shkelje të vazhdueshme të angazhimeve të saj për kontrollin e armëve, duke përfshirë vendimin e vendit për të pezulluar traktatin e ri START - një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2010 e cila kufizon numrin e kokave bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë dhe i jep secilës fuqi për të inspektuar armët e tjetrit./K.C/dritare.net

















