Thellohet kriza globale e naftës. Sa mund të zgjasë rritja e çmimeve!
Dritare.net
Një tronditje historike në prodhimin global të naftës bëri që çmimet të kalojnë përkohësisht pragun e 100 dollarëve për fuçi të hënën, për herë të parë në gati katër vjet, ndërsa lufta mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet.
Gjatë ditës, çmimet u stabilizuan pak më poshtë këtij niveli. Nafta amerikane u mbyll në 94.77 dollarë për fuçi, me një rritje prej 4.3%, ndërsa standardi ndërkombëtar Brent Crude u rrit me 6.8% duke arritur në 98.96 dollarë për fuçi.
Kjo është hera e parë që nga viti 2022 që çmimi i naftës i afrohet sërish nivelit të 100 dollarëve. Herën e fundit kjo ndodhi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, kur tregjet globale të energjisë u përballën me një krizë të madhe furnizimi.
Pse po rriten çmimet!
Rritja e fortë e çmimeve lidhet kryesisht me dy faktorë kryesorë: bllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit dhe rënien e prodhimit të naftës në Lindjen e Mesme.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë detare shumë e rëndësishme për tregtinë globale të energjisë, pasi rreth 20% e naftës në botë transportohet përmes saj me cisterna. Irani ka kërcënuar se do të sulmojë çdo anije që kalon në këtë korridor strategjik, duke bërë që shumë kompani transporti të ndalojnë operacionet në rajon.
Sipas të dhënave historike nga Rapidan Energy Group, ndërprerja e furnizimit që arrin rreth 20% është rreth dy herë më e madhe se rekordi i mëparshëm i shënuar gjatë Krizës së Suezit 1956–1957.
Në të njëjtën kohë, konflikti ka reduktuar edhe kapacitetin rezervë të prodhimit, pasi prodhues të mëdhenj si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë shkëputur pjesërisht nga tregjet globale.
Eksperti i tregut të energjisë, Bob McNally, paralajmëroi se tregu aktualisht nuk ka “asnjë rezervë të rëndësishme” për të përballuar goditje të tjera.
Rriten edhe çmimet e karburanteve
Rritja e çmimeve të naftës ka ndikuar menjëherë edhe në tregun e karburanteve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimi i benzinës është rritur me rreth 50 cent brenda një jave, duke arritur në 3.48 dollarë për gallon, niveli më i lartë gjatë mandateve të presidentit Donald Trump.
Sa mund të zgjasë kriza!
Megjithatë, disa analistë besojnë se çmimi mbi 100 dollarë mund të mos zgjasë për shumë kohë. Para fillimit të luftës, tregjet globale përballeshin me tepricë furnizimi dhe nafta tregtohej rreth 60 dollarë për fuçi.
Sipas analistit Homayoun Falakshahi, nëse trafiku në Ngushticën e Hormuzit nuk rikthehet shpejt në normalitet, çmimet mund të rriten edhe më tej. “Nëse situata nuk përmirësohet deri në fund të marsit, nafta mund të arrijë deri në 150 dollarë për fuçi”, paralajmëroi ai.
Ndërkohë, ministrat e financave të vendeve të G7 do të zhvillojnë një takim për të diskutuar mundësinë e lirimit të rezervave strategjike të naftës, në përpjekje për të ulur presionin mbi tregjet.
Administrata e presidentit Trump po shqyrton gjithashtu një plan për të siguruar cisternat që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit dhe për të organizuar eskortë detare për anijet tregtare.
Analistët paralajmërojnë se nëse korridori strategjik nuk rihapet së shpejti, çmimet e naftës mund të vazhdojnë të rriten, duke shtuar presionin mbi ekonominë globale./L.F-dritare.net