Naftë, armë dhe gjeopolitikë/ Putini viziton Modin në Delhi, ja pse!
Dritare.net

Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Delhi për një vizitë dyditore, ku u prit ngrohtësisht nga kryeministri indian Narendra Modi. Dy vendet pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të rëndësishme, në një kohë kur India është nën presion të fortë nga SHBA-ja për të ulur blerjet e naftës ruse. Marrëdhëniet mes Indisë dhe Rusisë janë të vjetra dhe të ngushta, dhe Putin e Modi ruajnë një raport të ngrohtë, i cili i shërben të dyja palëve.
Rusia e sheh Indinë si një treg gjigant me rritje të shpejtë ekonomike dhe një konsum të madh energjie. Pas fillimit të luftës në Ukrainë, India u bë një nga blerësit kryesorë të naftës ruse me çmim të ulur, gjë që nuk u pëlqeu Shteteve të Bashkuara. Për Moskën, India mbetet gjithashtu klientja kryesor për armët ruse, dhe pritet që gjatë vizitës të diskutohen blerje të reja të avionëve dhe sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore. Përveç kësaj, Rusia, që po përballet me mungesë fuqie punëtore, e konsideron Indinë një burim të rëndësishëm punëtorësh të kualifikuar. Kremlini gjithashtu kërkon të tregojë se nuk është i izoluar ndërkombëtarisht, duke forcuar lidhjet me vende të mëdha si India dhe Kina.
Nga ana tjetër, Modi ndodhet në një moment delikat. Ai ka ndjekur politikën e “autonomisë strategjike”, duke ruajtur marrëdhënie të mira si me Rusinë, ashtu edhe me Perëndimin. Por rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe vendosja e tarifave të reja ndaj mallrave indiane kanë tensionuar marrëdhëniet SHBA–Indi. Në këtë situatë, vizita e Putinit është një provë e rëndësishme për Modin, i cili duhet të tregojë se mund të forcojë lidhjet me Moskën pa rrezikuar bashkëpunimin me SHBA-në dhe Evropën.

Në fushën e mbrojtjes, India ka reduktuar pjesërisht varësinë nga armët ruse, por një pjesë e madhe e flotës së saj ushtarake mbetet ende e ndërtuar mbi teknologjinë ruse. Konflikti i fundit me Pakistanin e nxori në pah rëndësinë e sistemeve ruse si S-400, por edhe dobësitë që India duhet të adresojë. Interesimi për sistemet S-500 dhe avionët e avancuar Su-57 tregon se bashkëpunimi ushtarak me Rusinë mbetet thelbësor, edhe pse Rusia po përballet me mungesa komponentësh për shkak të sanksioneve dhe po vonon disa dërgesa.
Një tjetër sfidë është bilanci tregtar, i cili është në favor të Rusisë për shkak të importeve masive të naftës. Modi kërkon të rrisë eksportet indiane në tregun rus dhe të ulë varësinë e marrëdhënies nga nafta dhe mbrojtja.
Në thelb, vizita e Putinit nuk është thjesht një takim rutinë, por një moment i rëndësishëm gjeopolitik për të dyja vendet: për Rusinë është një mundësi të tregojë se ka aleatë të fuqishëm, ndërsa për Indinë është një test për të ruajtur ekuilibrin mes Moskës dhe Perëndimit, duke mbrojtur interesat e saj strategjike dhe ekonomike./K.C/dritare.net