Pasuritë e krimit “në lupën” e Komisionit Evropian, vlerësohet bashkëpunimi SPAK–AAPSK
Dritare.net

Në takimin e 17-të të Nënkomitetit BE–Shqipëri “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, ekspertët e Komisionit Evropian i kushtuan një vëmendje të veçantë procesit të sekuestrimit, konfiskimit dhe administrimit të pasurive që rrjedhin nga aktiviteti i krimit të organizuar.
Gjatë diskutimeve, ekspertët e KE kërkuan raportim të detajuar statistikor mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si dhe mbi procesin e administrimit të tyre nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Në këtë kuadër, u theksua se Brukseli do të ndjekë nga afër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë monitorimin e këtij procesi, duke e konsideruar atë një element kyç në kuadër të reformave të sundimit të ligjit.
Ekspertët evropianë njohën gjithashtu progresin e bërë nga Shqipëria në përafrimin e kuadrit ligjor dhe në implementimin e tij, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ata nënvizuan se rritja e numrit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga aktiviteti kriminal, administrimi efektiv i tyre dhe destinimi në favor të shtetit përbëjnë indikatorët kryesorë që do të përdoren për të matur nivelin e përmbushjes së Piketave të Ndërmjetme dhe rekomandimeve të Progres-Raportit për Kapitullin 24 – “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht ai midis SPAK dhe AAPSK, u vlerësua si një zhvillim pozitiv. Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, koordinimi në kohë dhe në cilësi mes dy institucioneve, si dhe statistikat e raportuara mbi administrimin e pasurive, dëshmojnë për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të bazuar në besueshmëri institucionale, e cila pritet të konsolidohet më tej edhe me mbështetjen e ekspertizës së Bashkimit Evropian.
Po ashtu, ekspertët e Komisionit Evropian vlerësuan përdorimin e fondeve të gjeneruara nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në mbështetje të institucioneve ligjzbatuese. Në veçanti u theksua mbështetja financiare për Prokurorinë e Posaçme (SPAK), e cila edhe gjatë vitit 2025 është rritur, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i sekuestrimit, administrimit dhe destinimit të pasurive të krimit të organizuar mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme për goditjen e ekonomisë kriminale, si dhe një nga treguesit kryesorë të progresit të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Institucionet shqiptare do të vijojnë të punojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian./dritare.net