Adriana Kalaja: Nga kandidimi për Avokate e Popullit te kritikat ndaj PD-së
Dritare.net

Në një intervistë në Dekalog, aktivistja Adriana Kalaja ka analizuar situatën aktuale politike, duke u ndalur te kriza në Partinë Demokratike, kandidimi i saj për postin e Avokatit të Popullit dhe duke ndarë detaje të panjohura nga jeta e saj personale në Tiranën e viteve '80.
Kalaja e nisi diskutimin duke folur për kandidaturën e saj për Avokate të Popullit, një proces ku konkurrojnë 26 kandidatë. Ajo shprehu kritika të ashpra ndaj disa prej tyre, veçanërisht ndaj Genta Bundos dhe Florian Ballhysës, të cilët vijnë nga komisionet e vetingut. Sipas saj, këta kandidatë kanë pasur një rol negativ kundër të drejtave të njeriut dhe kanë dëmtuar sistemin e drejtësisë. “Vendimmarrjet e Genta Bundos dhe Florian Ballhysës kanë qenë kundra të drejtave të njeriut,” deklaroi ajo, duke theksuar se komisioni i ligjeve duhet të jetë i vëmendshëm ndaj këtyre kandidaturave.
Kalaja konfirmoi se ka mbështetjen e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike dhe beson se i ka siguruar 50 votat e opozitës, ndonëse për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiten 84 vota, çka kërkon një konsensus me mazhorancën. Duke kaluar në një dimension më personal, Kalaja rrëfeu për herë të parë detaje nga rinia e saj si sportiste elite në qitje dhe martesa me legjendën e futbollit shqiptar, Agustin Kola.
Ajo kujtoi Tiranën e viteve '80, ku bulevardi shërbente si "pasarela" e artistëve dhe sportistëve. Në këtë kontekst, ajo ndau kujtimet e saj për një Edi Rama të ri, të cilin e përshkroi si "shumë të zgjuar dhe skemaxhi".
Një tjetër anekdotë interesante ishte ajo për "Kafenë e Rremës", lokalin e të atit, ku klientë të rregullt ishin edhe djemtë e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Ajo tregoi se si emri i kafenesë i rezistoi kohës, madje edhe tentativës së Mehmet Shehut për ta hequr. Përsa i përket krizës në Partinë Demokratike, Kalaja ishte mjaft kritike. Sipas saj, shthurja e strukturave të partisë filloi me marrëveshjen Rama-Basha të vitit 2017, e cila çoi në bojkotimin e zgjedhjeve nga një pjesë e madhe e demokratëve. Ajo kritikoi ashpër edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, veçanërisht listat e mbyllura dhe votën e diasporës pa mekanizma kontrolli, të cilat i konsideroi si gabime maksimale. Kalaja shprehu zhgënjimin për mungesën e një analize dhe reagimi brenda PD-së pas humbjeve zgjedhore, duke akuzuar se shumë anëtarë të kryesisë nuk i duan protestat dhe zgjedhjet e parakohshme.
Pavarësisht kritikave, ajo mbrojti me forcë qëndrimin e Sali Berishës në krye të partisë, duke deklaruar: "Partinë Demokratike e mban të mbledhur vetëm Sali Berisha". Kalaja foli edhe për simbolikën e saj të "fitilit të tritolit", duke e sqaruar se ajo i referohet luftës kundër padrejtësisë, veçanërisht ndaj ndërtimeve pa leje në zonat historike, duke premtuar se nëse do të kishte mundësi, do t'i shembte ato.
Në fund, ajo shpjegoi arsyet e dorëheqjes së saj nga postet në PD, duke thënë se u ndje e pavlerësuar dhe se mënyra e saj e të bërit opozitë nuk i konvenonte më disave brenda partisë. Pavarësisht largimit nga strukturat, ajo theksoi se do të vazhdojë aktivitetin e saj politik./dritare.net