Na ndiqni edhe në

Emisionet

Fredi Beleri thyen heshtjen: Prapaskenat e burgut, përplasja me Ramën dhe e vërteta për Peshkëpinë

Fredi Beleri thyen heshtjen: Prapaskenat e burgut, përplasja me Ramën

Në një intervistë ekskluzive dhe të gjatë për emisionin "Dekalog" me gazetarin Roland Qafoku, eurodeputeti Fredi Beleri ka folur hapur për herë të parë pas marrjes së mandatit në Parlamentin Evropian, duke prekur çështjet më të nxehta që lidhin Shqipërinë, Greqinë dhe karrierën e tij politike.


Biseda u zhvillua në një moment kritik diplomatik, vetëm pak ditë para takimit të rëndësishëm mes ministrave të jashtëm të dy vendeve, duke vendosur theksin tek e ardhmja e integrimit evropian të Shqipërisë dhe kushtet që Greqia mund të vendosë.

Beleri, i cili u zgjodh eurodeputet ndërsa ishte në burg në Shqipëri, e nisi bisedën duke analizuar klimën diplomatike. Ai theksoi se takimi i 16 dhjetorit në Athinë mes Spiropalit dhe Gerapetritis shënon një 'ristart' të domosdoshëm.

Megjithatë, ai ishte i prerë kur u pyet për veton greke: Greqia mbështet integrimin, por 'shtëpia evropiane' ka rregulla të forta. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për teka të Athinës, por për kriteret e Kopenhagen, respektimin e pronës dhe shtetin e së drejtës, fusha ku, sipas Belerit, Shqipëria çalon rëndë.

Ai solli në vëmendje çështjen e pronave në Himarë dhe bregdet, duke e cilësuar si një 'plagë' që mban peng jo vetëm minoritetin, por të gjithë qytetarët shqiptarë.

Një pjesë e konsiderueshme e intervistës iu kushtua reformës në drejtësi dhe SPAK-ut. Beleri lëshoi akuza të forta ndaj drejtësisë së re, duke e cilësuar atë si të ndikuar politikisht dhe me standarde të dyfishta.

Ai përmendi statistikat e paraburgimit, ku sipas tij, 60% e të burgosurve në Shqipëri mbahen pa vendim të formës së prerë, një shifër alarmante krahasuar me mesataren europiane. Rasti i tij personal, krahasuar me zyrtarë të lartë të mazhorancës si Erion Veliaj apo Belinda Balluku, u përdor si argument për të ilustruar atë që ai e quan 'drejtësi me regji'. Ai sfidoi hapur kryeministrin Rama, duke e akuzuar për ndërhyrje direkte në proceset gjyqësore përmes deklaratave publike para çdo seance. Nuk mungoi as debati historik dhe ai mbi identitetin. Beleri foli për origjinën e tij nga Progonati, duke u vetëdeklaruar si pjesë e minoritetit grek, por me shtetësi shqiptare dhe greke, duke shprehur dashuri për vendin ku lindi. Ai hodhi poshtë akuzat për 'helenizimin' e Himarës përmes parave, duke i quajtur ato përralla mediatike. Pika më e nxehtë mbetet ngjarja e Peshkëpisë në vitin 1994. Beleri ofroi një alibi të detajuar, duke pretenduar se në atë kohë ndodhej në Qipro për studime dhe jo në kufirin greko-shqiptar, duke e cilësuar lidhjen e tij me masakrën si një fabrikim politik të përdorur sa herë që ai angazhohet në politikë. Në fund, intervista preku çështjen e Ligjit të Luftës dhe marrëdhëniet me komunitetin çam, ku Beleri mbajti qëndrime që pritet të ngjallin reagime, duke mbrojtur narrativën zyrtare greke, por njëkohësisht duke u shprehur i gatshëm për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të emigrantëve shqiptarë të zhdukur në Greqi./dritare.net