Na ndiqni edhe në

Emisionet

Zbulimi i jashtëzakonshëm i ish-oficerit të sigurimit: Kim Filbi ka qenë në Shqipëri!

Zbulimi i jashtëzakonshëm i ish-oficerit të sigurimit: Kim Filbi

Një nga misteret më të mëdha të Luftës së Ftohtë në Shqipëri, dështimi spektakolar i operacioneve të CIA-s dhe MI6 në vitet '50, u analizua në emisionin Dekalog. I ftuari Vladimir Bregu, ish-oficer i shërbimit sekret, argumentoi se shkaku kryesor i dështimit ishte tradhtia e agjentit të dyfishtë britanik, Kim Philby.

Sipas Bregut, debati nëse ishte aftësia e Sigurimit të Shtetit apo informacioni i dhënë nga Philby ajo që solli fundin e operacioneve, anon qartë nga kjo e fundit.

"Vetë kryeministri britanik Tony Blair e ka cilësuar këtë si një nga dy dështimet më të mëdha të shërbimeve të tyre, krahas Irakut," tha Bregu. Duke u bazuar në studimet e tij dhe dokumente të ndryshme, ai shpjegoi mekanizmin se si funksiononte rrjedha e informacionit. Kim Philby, si ndërlidhës i MI6 me CIA-n në Uashington, kishte akses në të gjitha detajet e operacioneve, përfshirë datat, vendet e zbarkimit, armatimin dhe itineraret e diversantëve. Këtë informacion ai ia kalonte Moskës.

Prej andej, KGB-ja udhëzonte këshilltarët sovjetikë që ishin të pranishëm në çdo degë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë. Për të mos lënë gjurmë, këto informacione jepeshin vetëm verbalisht. "Këshilltarët sovjetikë u jepnin urdhra me gojë drejtuesve shqiptarë.

Prandaj sot nuk gjejmë dokumente të shkruara që lidhin drejtpërdrejt Philby-n me kapjen e grupeve," shpjegoi Bregu. Ai përmendi edhe një deklaratë të hershme të Mehmet Shehut, i cili në një mbledhje të Ministrisë së Brendshme, i kishte dhënë meritën Sigurimit të Shtetit, duke anashkaluar rolin e Philby-t, një fakt që në atë kohë ishte i panjohur për shumicën në Shqipëri./dritare.net