Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hollywood zbret në Tiranë, sopranoja fituese e Grammy Ayana Haviv në skenën e TKOBAP

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) do të mirëpresë këtë mbrëmje një nga ngjarjet më të veçanta artistike të sezonit. Koncerti "Hollywood në Tiranë" do të sjellë për publikun shqiptar kolonat zanore të disa prej filmave më të famshëm të kinemasë botërore, të interpretuara live nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Nën drejtimin artistik të kompozitorit shqiptar me karrierë ndërkombëtare Aldo Shllaku, koncerti do të bëjë bashkë Orkestrën Simfonike, Korin e TKOBAP-së dhe Formacionin Instrumental Modern, duke rikrijuar atmosferën magjike të Hollywood-it përmes muzikës që ka shoqëruar filma ikonë.

Një nga momentet kulmore të mbrëmjes do të jetë performanca e sopranos Ayana Haviv, fituese e çmimit prestigjioz Grammy Award, e cila do të ngjitet për herë të parë në skenën e TKOBAP-së.

Anëtare e Los Angeles Master Chorale dhe Los Angeles Opera Chorus, Haviv është një nga zërat më të njohur të muzikës së filmit në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka interpretuar në kolonat zanore të më shumë se 100 filmave, serialeve televizive dhe videolojërave, mes tyre Star Wars, Avatar, Frozen II, The Lion King, Spider-Man: No Way Home dhe Call of Duty, duke bashkëpunuar me disa nga kompozitorët dhe producentët më të njohur të industrisë së kinemasë.

Në këtë koncert do të performojë edhe pianisti, kompozitori dhe aranxhuesi amerikan Jeff Hoeppner, një emër i njohur në muzikën simfonike dhe produksionet filmike, i cili do të interpretojë në tastierë.

Në krye të projektit është kompozitori Aldo Shllaku, autor i kolonave zanore të dhjetëra filmave artistikë dhe dokumentarë të prodhuar në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Përmes këtij koncerti, ai synon të sjellë në Tiranë emocionin e muzikës që ka shoqëruar disa nga produksionet më të suksesshme të Hollywood-it.

"Hollywood në Tiranë" premton të jetë një udhëtim i veçantë muzikor, ku publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë live kolonat zanore që kanë bërë histori në ekranin e madh. Koncerti nis në orën 20:00 dhe pritet të jetë një nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të kësaj vere, duke bashkuar muzikën simfonike, kinemanë dhe interpretimin artistik në një spektakël të vetëm./L.F-dritare.net