Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mes lotësh dhe dhimbjes, mbahen homazhet për Enrik Mehmetin në Vlorë

Gazetari i njohur vlonjat, Enrik Mehmeti, është ndarë tragjikisht nga jeta në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një aksidenti me motor në zonën e plazhit të Porto-Novës, në Vlorë.

Homazhet në nderim të tij po zhvillohen nga ora 12:00 deri në 14:00 në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë po i japin lamtumirën e fundit. Pas përfundimit të homazheve, në orën 14:00, kortezhi mortor do ta përcjellë gazetarin në banesën e fundit.

Mes të pranishmëve në ceremoninë e homazheve ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehu respektin për figurën dhe kontributin e gazetarit.

Enrik Mehmeti ishte një nga gazetarët më të njohur të Vlorës, me një karrierë që zgjati mbi dy dekada. Ai raportoi për zhvillimet më të rëndësishme në qytetin bregdetar, duke mbuluar kronikën, politikën, kulturën dhe sportin, si edhe duke ngritur zërin për problemet e komunitetit.

Lidhja e tij me gazetarinë nisi që në moshë shumë të vogël. Gjatë ngjarjeve të vitit 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai kontribuoi si përkthyes në kampin e operacionit shumëkombësh “Alba”, ku forcat italiane ndihmonin në rikthimin e stabilitetit në Shqipëri. Më pas, ai iu përkushtua profesionit të gazetarit, duke u bërë një nga emrat më të besuar të raportimit nga Vlora.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Enrik Mehmetit ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët, kolegët dhe qytetarët, të cilët e kujtojnë si një gazetar të përkushtuar, profesionist dhe gjithmonë pranë njerëzve. Figura dhe kontributi i tij në median shqiptare do të mbeten një kujtim i çmuar për të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të./L.F-dritare.net