Mos e ndizni zjarrin që mund të na djegë të gjithëve!
Dritare.net

Editorial nga Dritare.net
Shqiptarët kanë debatuar gjithmonë fort për politikën. Janë ndarë në parti, në ide, në bindje. Janë sharë e janë pajtuar. Por ka një vijë që nuk duhet kaluar kurrë: feja.
Debati i ditëve të fundit, pas shpalljes “person i padëshiruar” të Igballe Hudutit dhe deklaratave të Kryeministrit për praninë e elementëve të lidhur me Iranin në protestë, nuk duhet të na çojë në një rrugë shumë më të rrezikshme se vetë konflikti politik.
Nëse institucionet kanë prova, ato veprojnë sipas ligjit. Nëse personat e akuzuar i mohojnë akuzat, kanë të drejtën e mbrojtjes dhe të gjykimit. Ky është shteti ligjor.
Por përtej këtij rasti ka një rrezik shumë më të madh.
Po shohim gjithnjë e më shumë gjuhë urrejtjeje, slogane që importojnë konfliktet e Lindjes së Mesme dhe përpjekje për ta kthyer edhe Shqipërinë në një arenë ku njerëzit ndahen sipas fesë apo sipas qëndrimit ndaj Izraelit, Iranit apo kujtdo tjetër.
Kjo është një lojë me zjarrin.
Sepse zjarret fetare nuk digjen vetëm aty ku ndizen. Ato përhapen. Dhe kur përhapen, nuk pyesin më kush është mysliman, kush është katolik, kush është ortodoks apo bektashi. Djegin të gjithë.
Historia e botës është e mbushur me shembuj.
Libani dikur ishte një nga vendet më të zhvilluara dhe më të hapura të Mesdheut. Lufta civile e ushqyer nga ndasitë fetare e shkatërroi për dekada.
Iraku nuk ishte vetëm një luftë. Ishte një copëtim i shoqërisë në identitete fetare, plagë që ende nuk janë mbyllur.
Siria u kthye nga një shtet në një tragjedi njerëzore ku fanatizmi dhe lufta sektare shkatërruan qytete të tëra.
Libia vazhdon të endet mes kaosit.
Asnjë prej këtyre vendeve nuk mendonte se do të arrinte deri aty. Çdo zjarr fillon me një shkëndijë. Askush nuk beson se do të bëhet flakë.
Shqipëria ka pasur fatin më të madh në historinë e saj: shqiptarët nuk janë vrarë me njëri-tjetrin për fenë. Kemi jetuar me një amanet të trashëguar brez pas brezi: “Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Ky nuk është vetëm një slogan i bukur. Është arsyeja pse kemi mbijetuar si komb.
Sot nuk kemi luksin të sillemi me mendjelehtësi. Mund të jemi të papërgjegjshëm në shumë gjëra, por jo me fenë. Jo me urrejtjen fetare. Jo me importimin e konflikteve që nuk janë tonat.
Le të debatojmë për qeverinë. Le të protestojmë. Le të kritikojmë opozitën. Le të ndahemi për politikën.
Por të mos lejojmë askënd të na ndajë si besimtarë. Ne jemi shqiptare.
Sepse në ditën kur shqiptari do të fillojë ta shohë shqiptarin si armik për shkak të fesë, nuk do të ketë më Shqipëri të re.
Madje, nuk do të ketë më Shqipëri.
Ka zjarre që shuhen me ujë.
Ka edhe zjarre që, sapo ndizen, nuk shuhen për breza të tërë.
Ky është një prej tyre.
Prandaj, le ta ruajmë si amanet harmoninë tonë fetare. Është pasuria më e madhe që kemi trashëguar dhe ndoshta e vetmja që, nëse humbet, nuk rikthehet më. Feja e shqiptarit eshte shqiptaria./ dritare.net