Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta inxhinieri Ismail Ahmeti, një personalitet i shquar i historisë së energjetikës dhe ndërtimit 

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare inxhinieri i shquar Ismail Ahmeti. Ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme të zhvillimit hidroenergjetik në vend.

I lindur në Shkodër në vitin 1942, ai u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Tiranës në vitin 1966. Që në fillimet e karrierës së tij u dallua për aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e projekteve të mëdha hidroteknike, duke udhëhequr breza të tërë inxhinierësh.
Personalitet dhe drejtues i shquar në historinë e ndërtimit të digave dhe hidrocentraleve më të mëdha në vend, ai veçohet për drejtimin e punimeve në kaskadën e lumit Drin, një vepër unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Ai ka qenë kryeinxhinier i punimeve në Hidrocentralin e Fierzës, një nga arritjet më të mëdha të inxhinierisë shqiptare, ku luajti një rol kyç në menaxhimin e punimeve të mëdha të dheut, betonit dhe tuneleve të shkarkimit, duke e kthyer këtë kantier në një shkollë formimi për inxhinierinë shqiptare.

Më pas kontribuoi në ndërtimin e Hidrocentralit të Komanit, ku ka qenë drejtori i përgjithshëm i punimeve për të gjithë kompleksin e veprës. Ai ka drejtuar ndërtimin e digës dhe të të gjitha objekteve të HEC-it, përfshirë tunelet e shkarkimit me kapacitet total 3600 m³/s dhe veprën e marrjes së ujit për prodhimin e energjisë në këtë hidrocentral me kapacitet 600 MW.
Rezervuari i krijuar në Fierzë është ndër 10 rezervuarët më të mëdhenj në Europë edhe sot. Diga e Fierzës, me lartësi 167 m, mbetet më e larta në Shqipëri, ndërsa diga e Komanit, me lartësi 115 m, është e treta për nga lartësia në vend.

Gjatë një karriere 50-vjeçare, ai ka udhëhequr dhe mbikëqyrur edhe ndërtimin e rrugëve nacionale, akseve strategjike, urave me hapësira të mëdha, tuneleve hekurudhore dhe objekteve industriale që mbështetën zhvillimin ekonomik të vendit.
Për kontributin e tij të gjerë në zhvillimin energjetik dhe infrastrukturor të vendit, ai u vlerësua me titullin “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë mori certifikatën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, duke u renditur mes personaliteteve më të shquara të elitës shkencore të vendit.

Ing. Ismail Ahmeti do të kujtohet si një drejtues vizionar dhe këmbëngulës, që la pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e ndërtimit dhe energjetikës shqiptare. Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humb një nga figurat e saj më të shquara, ndërsa veprat e tij mbeten dëshmi e punës, dijes dhe vizionit që kontribuan në zhvillimin e vendit.