Tetova humb 11 emra shqiptarë rrugësh, Kushtetuesja rikthen emërtimet e vjetra
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut në seancën e sotme ka miratuar vendim me të cilin i abrogoi 11 emra të rrugëve të Komunës së Tetovës, të miratuar në vitin 2007. Vendimi është miratuar me 5 vota “për”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk kanë votuar “kundër”. Iniciativa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, duke theksuar se Këshilli i Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë apo në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend.
Sipas vendimit të ri, Sheshit “Iliria” do t’i rikthehet emri i vjetër apo të liderit jugosllav “Marshall Tito”, ndërsa rruga “Dervish Cara” ku ndodhet dhe objekti i Komunës do të quhet sërish me akronimin e ushtrisë jugosllave JNA. Ky emër, do t’i rikthehet edhe një rruge tjetër që sot mban emrin “Sollunski atentatori gemixhi”. Ndërsa, “Mehmet pashë Deralla” do të quhet sërish “29 Nëntori”.
Emrat e vjetër do t’u rikthehen edhe rrugëve “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” dhe do të quhen sipas politikanit dhe udhëheqësit ushtarak jugosllav, Ivo Llolla Ribar. Në listë janë edhe dy rrugë që mbajnë emrat e dy figurave të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl dhe Sami Frashëri, tanimë këto emra do të zëvendësohen me emrat e vjetër të diktatorit rus “Lenin” dhe partizanit “Radovan Coniq”. Do të hiqet edhe emri i rrugës “Metodija Andonov Çento”, ndërsa tani do të quhet sipas partizanit slloven Boris Kidriç.
Emrat e rinj të cilat u miratuan në vitin 2007, praktikisht asnjëherë nuk kanë qenë në letër, por vetëm në tabela. Parashtruesi i iniciativës, Darijan Sotirovski, shpalli fitore në Facebook.
“Përshëndetje deri te të gjithë që për momentin shëtisin në sheshin dhe bulevardin “Marshall Tito”, bëjnë Pazar në rrugën “Radovan Coniq”, vozisin nëpër rrugën “Ivo Ribar Llolla”, presin për kontroll rrugën “29 Noemvri”… Shkuan në histori emrat e imponuara dhe të paligjshme të rrugëve të Tetovës”.
Emrat e rrugëve që sot i shfuqizoi kushtetuesja, janë miratuar me vendim të Këshillit të Komunës para 19 vitesh, respektivisht në vitin 2007, kur në krye të Komunës ka qenë Hazbi Lika nga BDI, ndërsa në Qeveri ka qenë PDSH-ja. Pavarësisht vendimit të Këshillit të Komunës, emrat praktikisht janë vendosur vetëm në tabela, por jo edhe në dokumentet zyrtare. /Alsat.mk