Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Ndahet nga jeta pediatri dhe neonatologu i njohur Edi Tushe

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës mjeku i njohur pediatër dhe neonatolog, Edi Tushe. Lajmi i trishtë është bërë publik nga klinika ku ai ushtronte aktivitetin e tij profesional, e cila i kushtoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një profesionist të shkëlqyer dhe një njeri me vlera të rralla njerëzore.

Për shumë vite, doktor Tushe qëndroi pranë mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare, duke fituar besimin dhe respektin e tyre falë përkushtimit, profesionalizmit dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj të porsalindurve dhe fëmijëve.

Kontributi i tij shtrihej përtej praktikës së përditshme mjekësore. Ai konsiderohet një nga figurat që ndihmuan në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimit të neonatologjisë në Shqipëri, duke lënë gjurmë të rëndësishme në këtë fushë të mjekësisë.

Njëkohësisht, si pedagog dhe mentor, doktor Edi Tushe dha një ndihmë të vyer në edukimin dhe formimin profesional të brezave të rinj të mjekëve, me të cilët ndau përvojën dhe njohuritë e fituara gjatë një karriere të gjatë dhe të suksesshme.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për komunitetin mjekësor shqiptar, kolegët, studentët dhe të gjitha familjet që patën fatin të përfitonin nga përkujdesja dhe përkushtimi i tij. Kujtimi dhe kontributi i doktor Edi Tushes do të mbeten të paharruara në historinë e pediatrisë dhe neonatologjisë shqiptare./L.F-dritare.net