Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

5 mesazhet kryesore nga kreu i SPAK në takimin me gazetarët

5 mesazhet kryesore nga kreu i SPAK në takimin me gazetarët

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zhvilloi sot një takim me gazetarët, ku komentoi disa nga çështjet më të diskutuara aktualisht që lidhen me drejtësinë, hetimet penale dhe rolin e SPAK. Më poshtë janë pesë pikat kryesore të deklaratave të tij:

1.Dosja "21 Janari": Një prej prioriteteve të SPAK

Dumani konfirmoi se çështja e vrasjeve të protestuesve më 21 janar 2011 ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak.
"Është një nga dosjet prioritare. Kemi marrë në konsideratë edhe vendimet e Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut," deklaroi ai, duke shtuar se hetimet po drejtohen nga prokurori i çështjes.


2. Ndryshimet ligjore dhe mandati i dytë: Ligji nuk ndryshohet për individë

I pyetur nëse ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për një mandat të dytë dhe ndryshime ligjore që do ta mundësonin këtë, Dumani u shpreh qartë:

"Nuk jam dakord që ndryshimet kushtetuese të bëhen për një emër të caktuar. Ligjet nuk duhet të hartohen për individë të veçantë."

3. Reagimi ndaj Veliajt: “Nuk i përgjigjemi të pandehurve në publik”

Në lidhje me 7 pyetjet publike të drejtuara nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pas shpalljes së tij të pandehur, Dumani u shpreh:

"Nuk i përgjigjemi të pandehurve. Kjo bëhet vetëm në rrugë ligjore përmes memorandumeve nga avokatët."
Ai shtoi se dosja ndaj Veliajt është ndarë në një fraksion tjetër dhe po hetohen fakte të tjera penale.


4. Drafti i ri i Kodit Penal: “Ka rëndësi jetike për shtetin ligjor”

Dumani komentoi edhe për projekt-draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë:
"Ka rëndësi jetike për shtetin ligjor. Duhet parë nëse ishte e nevojshme të hartohej një Kod i ri apo të punohej mbi ekzistuesin. Unë besoj se ka vend për përmirësime, si për shembull në nenin për narkotikët – të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës."

5. Pavarësia e SPAK dhe presioni politik: "Vendimet i merr politika, por besimi ndaj nesh është ndërtuar me punë"

I pyetur nëse ekziston frika për kufizim të kompetencave të SPAK, Dumani tha:

"Nëse politika vendos që SPAK nuk është më i nevojshëm, kjo është çështje e politikës. Ne kemi ndërtuar besimin përmes 5 viteve e 8 muajve punë dhe jemi institucioni më i besuar."/L.F-dritare.net