Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

50 mln euro për përmbytjet. Rama: Do të dëmshpërblehet çdo familje

50 mln euro për përmbytjet. Rama: Do të dëmshpërblehet

Në mbledhjen me strukturat e emergjencave pas përmbytjeve masive që kanë prekur Shqipërinë nga veriu në jug, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të gjithë personat apo familjet e dëmtuara, do të dëmshpërblehen.

Dëmshpërblimi përfshin si dëmet në sektorin e bujqësisë, ashtu dhe për banesat e dëmtuara apo kafshët e mbytura si pasojë e përmbytjeve.

“Sot dua t’i siguroj dhe të dëmtuarit e kësaj here se do të shlyejmë çdo detyrim ndaj tyre. Puna intensive dhe mobilizimi i pa ndaluar 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjitha strukturave do të vazhdojë e pandërprerë deri në përforcimin e kësaj situate.

Dua tju them të gjithë deputetëve të pranishëm në këtë mbledhje që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”, tha Rama.

Në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Financave Petrit Malaj tha se në programin e Emergjencave Civile janë parashikuar rreth 30 milionë euro. Vlera totale për situatën e përmbytjeve në vend është mbi 50 milionë euro. Fondi për dëmshpërblimet është 15 milionë euro.

"Në programin e Emergjencave Civile kemi parashikuiar rreth 30 milionë euro të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekte të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar është rreth 15 mln euro. Kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar që është rreth 10 milionë euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas një metodologjie mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri. Kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën 25 milionë eurove që do të vihet në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhet nga strukturat përkatëse. Kemi fondin për degat dhe rezervuarët dhe lidhet me financimin e projekteve për sigurimin e digave e rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro. Vlera totale shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar", u shpreh ministri i Financave./L.F-dritare.net