
Rama mohon ndërtimin e resorteve në Theth: Nuk ekziston si plan
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj zërave dhe aludimeve që qarkullojnë në opinionin publik mbi operacionin e shembjeve në zonën turistike të Thethit, duke hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim se pas kësaj nisme fshihet një plan për ndërtimin e resorteve turistike.
Rama theksoi se nuk do të lejohet asnjë ndërtim apo resort në këtë zonë të mbrojtur, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe të dëmshme çdo teori që sugjeron të kundërtën.
“Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është jashtë çdo lloj opsioni,” u shpreh Kryeministri.
Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si është paraqitur situata në media, duke thënë se disa nga personat që janë shfaqur në ekrane nuk përfaqësojnë banorët e vërtetë të Thethit.
“Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane,” theksoi Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se mbështetja për komunitetet malore do të vijojë dhe se qeveria ka ndërmarrë nisma konkrete në këtë drejtim.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male. Madje kemi bërë dhe paketën e maleve,” shtoi ai.
Sa i përket kohës së ndërhyrjes në sezonin turistik, Rama theksoi se nuk ka më kohë për të pritur dhe se veprime të ngjashme po zhvillohen në të gjithë territorin e Shqipërisë./L.F-dritare.net

















