
Aleksandër Rusakov: Pse nuk do të kthehem kurrë në Rusi!
Dritare.net
Albanologu rus Aleksandër Rusakov i cili ndodhet në Shqipëri prej disa vitesh, thotë se mund të kthehet në Rusi vetëm kur t’i vijë fundi regjimit të Putinit. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë, tha Rusakov në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV sepse regjimi i Putinit do të vazhdojë gjatë. Ai flet edhe për luftën Rusi-Ukrainë, për të cilën thotë se zgjerimi i fronit të luftës do të jetë i mundshëm. Lufta është e tmerrshme, thotë Rusakov, por fitorja e Putinit është edhe më katastrofike, sepse ai nuk do të ndalet me Ukrainën.
“Unë mund të kthehem në Rusi vetëm kur situata të ndryshojë. Nuk e kam fjalën vetëm kur të mbarojë lufta. Për mua është problem gjithashtu regjimi i Putinit. Unë mendoj se nuk do të kthehem kurrë në Rusi, sepse mendoj se ky regjim do të vazhdojë gjatë. Nëse ky regjim do të ndryshonte unë do te kthehem në Rusi, por do të jetë një Rusi tjetër ku unë do të kisha mundësi të shprehja mendimet e mia hapur, pa frikë ashtu sikuse ndodh ne vendet demokratike e të lira. Askush nuk e di si do të përfundojë lufta. Rusia është më e fortë se Ukraina, ka më shumë njerëz, burime, mjete. Por nuk është një vend pa probleme. Sanksionet nuk ndikuan aspak në ekonominë e Rusisë. U mendua që pas sanksioneve ekonomia e Rusisë do të bjerë në pak javë, por asgjë e ngjashme nuk ndodhi. Putini ka në qeveri një bllok ekonomistësh me përvojë dhe punon mjaft mirë. Në fillim të luftës situata ekonomike u përkeqësua por tani në bazë të asaj që unë lexoj katastrofa ekonomike nuk ndodhi. Kjo nuk është një gjë e mirë për perspektivën e luftës por edhe për ndryshimin e regjimit. Zgjerimi i luftës mund të jetë shumë e mundshme. Ne nuk e kishim menduar luftën me Ukrainën. E shikonim të pamundur. Kur ajo luftë filloi ishte një katastrofë mendore për ne të gjithë. Nëse dikush do të thotë në vitet ’80-‘90 se do të kishte një luftë me Ukrainën, do ta mendonim se ai ishte i çmendur. Por kjo luftë u bë dhe kjo ndodhi. Lufta është e tmerrshme por fitorja e Putinit është edhe më katastrofike, sepse ai nuk do të ndalet me Ukrainën”, u shpreh Rusakov në Dritare TV./L.F-dritare.net

















