Altin Dumani i kalon stafetën Spahos: Sot mbyllet një ndër kapitujt më sfidues të karrierës sime
Dritare.net
Altin Dumani mbajti fjalimin e tij të lamtumirës në detyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke ia kaluar zyrtarisht drejtimin pasuesit të tij, Klodian Braho. Në fjalën e mbajtur, Dumani e cilësoi drejtimin e SPAK si një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij 26-vjeçare, duke e përshkruar njëkohësisht si privilegj dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive, presioneve dhe vendimeve të ndërlikuara institucionale, SPAK ka dalë më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm. Sipas Dumanit, këto arritje janë rezultat i punës së përbashkët dhe të palodhur të prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesve financiarë, ekspertëve dhe stafit administrativ.
Në fjalimin e tij, Dumani shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar mbështetjen dhe ekspertizën e tyre të vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve profesionale të SPAK. Ai falënderoi gjithashtu publikun shqiptar, duke theksuar se besimi i qytetarëve ka qenë forca më e madhe e institucionit.
Duke i uruar suksese pasuesit të tij, Dumani shprehu bindjen se Klodian Braho do të ndërtojë mbi trashëgiminë gjashtëvjeçare të SPAK dhe do ta çojë përpara misionin e institucionit me integritet dhe vendosmëri./L.F-dritare.net