
Altin Dumani për draftin e ri të Kodit Penal: Ka rëndësi jetike për shtetin ligjor
Dritare.net
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka komentuar sot për mediat draftin e propozuar për Kodin e ri Penal, duke e cilësuar atë si një nismë me rëndësi të madhe për shtetin ligjor, por që duhet të kalojë përmes debatit dhe analizës së thelluar.
“Për debatin e Kodit të ri Penal, ka një rendësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime është normale. Pyetja e parë që duhet të ngrihet është: A ishte i nevojshëm një Kod i ri apo duhej punuar mbi kodin ekzistues?”, u shpreh Dumani.
Ai theksoi se vetë beson në nevojën për ndryshime, duke përmendur si shembull nenin për narkotikët, i cili sipas tij duhet të diferencojë rastet sipas sasisë dhe llojit të drogës.
"Unë vetë besoj që ka nevoje për ndryshime, për shembull neni për narkotiket, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës".
Dumani bëri të ditur se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e këtij drafti dhe ende nuk e ka marrë atë zyrtarisht. “Kur të na vijë, do ta analizojmë me kujdes dhe do mbajmë qëndrimin tonë,” përfundoi ai./L.F-dritare.net

















