Balla i kthehet Berishës: Hiq dorë nga balta, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet
Dritare.net

Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Sali Berishës duke deklaruar se Shqipëria ka përmbushur detyrimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimi Europian.
Ai theksoi se raporti vjetor i qeverisë për integrimin është dorëzuar në Kuvend dhe se, sipas institucioneve europiane si Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, vendi ka përmbushur piketat e ndërmjetme të procesit.
Në fund, ai i bëri thirrje opozitës të ndalë akuzat dhe të bashkëpunojë për avancimin e procesit të integrimit europian.
“Ka mbërritur raporti vjetor i qeverisë për rrugën drejt BE. Ajo që duhet tua themi me krenari shqiptarëve, është fakt nga KE, PE dhe KiE , se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që vijnë nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë sonë të përbashkët në BE. Të gjitha piketat e ndërmjetme sipas raportit të KE janë përmbushur, ka një procedurë që të gjithë e dimë që nga KE kalon të Këshilli dhe nga Këshilli të vendet anëtare. Brenda fillimit të qershorit, sikurse u komunikua nga Kos dhe Kallas, se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit brenda 2030-ës është realiste, madje po citoj Kallas që tha se Shqipëria bashkë me malin e zi duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029. Ky është fakt, sa i përket gjithë këtyre emaileve që the, habereve që the. Hiqni dorë nga kjo baltë që hidhni kundër Shqipërisë, nuk e keni Shqipërinë vend armik. Nuk ju zgjedhim dot, por është momenti të punojmë bashkë. Nuk iu bën nder të shani nga mëngjesi në darkë”, tha Balla./L.F-dritare.net