Berisha: Jam politikani më i hetuar brenda dhe jashtë Shqipërisë
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar gjatë një konference për shtyp lidhur me hetimet e SPAK mbi financimin e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, duke i cilësuar ato si një hetim tërësisht politik dhe pa bazë ligjore.
Berisha deklaroi se ai është i vetmi politikan në Shqipëri që është hetuar në mënyrë të detajuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke theksuar se hetimi pasuror ndaj tij dhe familjes së tij është përfunduar dhe është dërguar prej kohësh në gjykatë.
“Hetimi pasuror i Berishës është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dorëzuar në gjykatë. Ky hetim që po bëhet sot nuk ka asnjë lidhje me pasurinë time apo të fëmijëve të mi. Është një hetim i mirëfilltë politik,” u shpreh kreu i PD.
Ai shtoi se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet e hapur për çdo hetim, por sipas tij, veprimet e SPAK janë të motivuara politikisht dhe synojnë të justifikojnë një proces pa prova. Berisha akuzoi drejtues të institucioneve të drejtësisë për manipulim dhe mashtrim publik, duke thënë se mungesa e fakteve është dëshmi e natyrës politike të hetimit.
Në lidhje me financimin e lëvizjes “Rithemelimi”, Berisha deklaroi se çdo gjë është e deklaruar dhe transparente, ndërsa personat që kanë kontribuar financiarisht janë pyetur dhe kanë dhënë shpjegimet e tyre.
“Është deklaruar çdo financim dhe nuk ka asgjë për të fshehur. Personat që kanë financuar janë pyetur dhe e kanë deklaruar gjithçka,” tha Berisha, duke shtuar se nuk ka dijeni për shifra konkrete./L.F-dritare.net