Bordi i Transparencës rrit çmimin e karburantit, nafta shkon në 224 lekë për litër
Dritare.net

Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, 3 prill 2026. Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i naftës do të arrijë në 224 lekë për litër në shitjen me pakicë.
Sipas vendimit të bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, sipas standardit SSH EN 590, do të jetë jo më shumë se 224 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 212 lekë për litër. Ky vendim vjen në zbatim të Aktit Normativ të miratuar sot, ku niveli i akcizës u ul me 20%, ose bashkë me TVSH një ulje prej 9.5 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë i benzinës sipas standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 169 lekë për litër.
Sipas njoftimit, çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, më 3 prill, në orën 20:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, ndërsa në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë të ditur se janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg./K.C/dritare.net