
CNN
Kur mendojmë për përpjekjen për të ngadalësuar plakjen, ndoshta askush nuk është më i fiksuar pas këtij qëllimi sesa sipërmarrësi amerikan i teknologjisë Bryan Johnson, i cili thuhet se shpenzon rreth 2 milionë dollarë në vit për trajtime kundër plakjes dhe është bërë i famshëm në internet për rutinën e tij tepër rigoroze.
Misioni i tij — për të ndalur reagimin natyror të trupit ndaj kohës dhe gravitetit — përfshin orë të shumta në palestër, agjërim të ndërprerë, terapi me dritë të kuqe dhe konsumimin e mbi 100 suplementeve çdo ditë. Në një moment, ai organizoi në mënyrë kontroverse transfuzione gjaku mes tre brezave, duke injektuar plazmën e djalit të tij 17-vjeçar. Në vitin 2025, ai pretendoi se kishte arritur të ngadalësonte procesin e plakjes biologjike aq shumë saqë kishte një ditëlindje çdo 19 muaj.
Fiksimi i Johnson mund të tingëllojë distopik, por nuk është një fenomen vetëm modern. Në fakt, pyetja se si të plakesh mirë është diçka që kuratorja Shamita Sharmacharja e trajton në ekspozitën e saj më të fundit në Londër — “The Coming of Age” — një ekspozitë që përfshin pesë shekuj dhe më shumë se 120 vepra arti dhe objekte që trajtojnë realitetin e plakjes, nga liria dhe gëzimi që ajo mund të sjellë, deri te sëmundjet dhe ankthi që e shoqërojnë. Aty përfshihen gjithçka, nga pilulat kundër plakjes të shekullit XIX, deri te bastuni i biologut Charles Darwin dhe autoportrete nudo të fotografit britanik John Coplans në të gjashtëdhjetat e tij.
“Kur thosha se po punoja për një ekspozitë mbi plakjen, reagimet ishin pothuajse gjithmonë të njëjta,” tha ajo gjatë prezantimit. Njerëzit psherëtinin, uleshin të lodhur ose përgjigjeshin me një fytyrë të trishtuar se “plakja do të vijë për të gjithë ne”. Ky reagim e bëri atë të reflektonte mbi burimin e qëndrimeve tona ndaj plakjes.
Ekspozita tregon se obsesioni për të kthyer kohën pas është shumë i vjetër. Ajo nis me një gravurë druri mesjetare të vitit 1536, ku një grup të moshuarish hyjnë në një burim uji dhe dalin prej tij të rinj dhe plot energji. Ky mit i “burimit të rinisë” ka magjepsur njerëzimin prej kohësh — sot, ai ekziston më shumë si metaforë për serumet, kremrat dhe klinikat estetike.
Diskutimet rreth plakjes nuk kanë qenë kurrë kaq të forta sa sot. Rrudhat, njollat e diellit dhe lëkura e varur janë demonizuar aq shumë, sa edhe adoleshentët — larg këtij realiteti — kanë filluar t’i frikësohen. Edhe burrat, që dikur nuk përfshiheshin në këto standarde, tashmë ndikohen nga to. Ndërhyrjet estetike si lifting-u i fytyrës, dikur për moshat mbi 60 vjeç, tani bëhen edhe nga persona nën 40 apo 30 vjeç. Ideja e një fytyre “përgjithmonë 35” po zëvendëson pranimin natyror të plakjes.
Megjithatë, siç thekson ekspozita, jetëgjatësia sot është më e lartë se kurrë. Por kjo sjell edhe probleme të reja. Një jetë më e gjatë nuk do të thotë domosdoshmërisht një jetë më e lumtur. Gjendja ekonomike ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si plakemi dhe në cilësinë e jetës sonë. Me pak fjalë: pasuria është shëndet. Kjo pabarazi u bë shumë e dukshme gjatë pandemisë Covid-19, e cila tregoi se si mosha lidhet me cenueshmërinë, por edhe si komunitetet më të varfra u goditën më rëndë.
Ekspozita përpiqet të ruajë një balancë: të sfidojë diskriminimin ndaj moshës, pa mohuar ankthin e moshës së mesme dhe realitetin e sëmundjeve. Fotografitë dhe veprat artistike tregojnë momente intime të plakjes — si zbulimi i një floku të thinjur apo përballja me një rënie fizike — por edhe mënyra se si arti mund të shërbejë si shprehje dhe ngushëllim.
Në të gjithë ekspozitën bëhet e qartë se plakja është një përvojë shumë personale dhe fleksibile. Disa e shohin si diçka për t’u luftuar me çdo kusht, si në rastin e Johnson. Të tjerë e shohin si një proces për t’u pranuar me dinjitet, pavarësi dhe vetëpranim. Për shumë njerëz, plakja e mirë lidhet thjesht me sigurinë financiare dhe një jetë më të qetë.
“Pas gjithë këtij studimi, kam një këndvështrim më realist mbi plakjen,” tha Sharmacharja. “Çdo fazë e jetës sonë pasurohet dhe kufizohet nga historitë që ne i tregojmë vetes për të.”/L.F-dritare.net