
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të menjëhershëm për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve në treg, duke vendosur uljen me 20% të akcizës. Ky vendim vjen vetëm pak orë përpara mbledhjes së Bordit të Transparencës, ku pritet një tjetër shtrenjtim i naftës, si pasojë e zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare.
Deklarata e Petrit Malaj:
"Ashtu sikundër Kryeministri Rama ka premtuar që në krye të herës, për të marrë masa konkrete dhe të prekshme për të amortizuar efektet e prodhuara si rezultat i konfliktit në Iran, qeveria shqiptare sot ka ndërmarrë Aktin Normativ për të ulur akcizën, si rrjedhojë e rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, sidomos në 48 orët e fundit.
Ky Akt Normativ parashikon uljen e akcizës me 20%, nëse rast se çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës do të jetë:
Mbi 220 lekë për litër për naftën;
Mbi 200 lekë për litër për benzinën.
Ky Akt Normativ do të jetë në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës të krijuar ndërkombëtarisht.
Ne jemi të angazhuar plotësisht që t’i përgjigjemi me përgjegjshmëri çdo sfide, duke mbrojtur qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të prodhuara si rezultat i këtij konflikti, por edhe të mbrojmë buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit tonë, sidomos në një moment kritik si ky që po përballet bota sot."/K.C/dritare.net
