Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“Edi kundër Eddy”, Rama replika me gazetarin e Euroactiv për kampin e Gjadrit

“Edi kundër Eddy”, Rama replika me gazetarin e Euroactiv

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj gazetarit të Euroactiv, Eddy Wax, pas polemikave të krijuara mbi deklaratat e ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Itali për qendrën e emigrantëve në kampin e Gjadrit.

Debati nisi pasi në një intervistë për Euroactiv u raportua se Ferit Hoxha kishte deklaruar se “Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e migracionit me Italinë përtej vitit 2030”.

Në reagimin e tij, Rama tha se deklarata e ministrit ishte interpretuar gabim dhe se citimi i shkurtuar kishte krijuar konfuzion, duke u përdorur sipas interesave ideologjike të ndryshme.

“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori ‘Edi kundër Eddy’, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë”, shkroi Rama.

Kryeministri shtoi se, pas publikimit të transkriptit të plotë të intervistës, u bë e qartë se citimi i shkurtuar ishte “mjaftueshëm çorientues” për të nxitur interpretime të ndryshme.

Megjithatë, Rama theksoi se nuk kishte hatërmbetje ndaj gazetarit, duke ironizuar situatën me frazën: “Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë.”

Në fund të reagimit të tij, kreu i qeverisë ritheksoi marrëdhënien e ngushtë me Italinë në këtë proces, duke deklaruar: “Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria.”

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

"I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddy”, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë, sepse së pari, unë nuk u ankova për Edi-n tjetër, dhe së dyti, tani që ti me bujari publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.

Por sinqerisht, aspak hatërmbetje. Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë.

Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria"./L.F-dritare.net