Edi Rama: Do të dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar klimën e punës së gazetarëve dhe për të ulur presionin ligjor ndaj medias, duke theksuar se prej vitesh nuk ka pasur padi penale ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se qeveria ka ndaluar paditë ndaj gazetarëve dhe se një tjetër hap i rëndësishëm do të jetë dekriminalizimi i shpifjes për median. Sipas tij, kjo nismë synon relaksimin e mëtejshëm të situatës për gazetarët dhe përmirësimin e klimës së lirisë së shprehjes.
“Nuk ka pasur asnjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite. I kemi ndaluar të gjitha paditë prej shumë vitesh dhe do të bëjmë edhe hapin tjetër, atë të dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se debati nuk lidhet me lirinë e shprehjes, por me atë që ai e cilësoi si “liri shpifjeje”, duke shtuar se kjo temë nuk ishte objekt i tryezës ku po fliste.
Rama pranoi se ende ka vend për përmirësime dhe u shpreh i mirëkuptueshëm ndaj ankesave të gazetarëve, duke theksuar se është e natyrshme që ata të mos jenë të kënaqur me qeverinë.
“Ne nuk kemi bërë mrekulli, por kemi bërë progres të mjaftueshëm për të qenë optimistë se mund të bëjmë më shumë”, përfundoi ai./L.F-dritare.net