Edi Rama inspekton aksin Librazhd–Prrenjas: Rrëshqitja e rrugës erdhi nga shirat
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore të aksit Librazhd–Prrenjas, e cila u hap pasi zona e juglindjes së vendit kishte mbetur e bllokuar për rreth 11 ditë për shkak të shembjes së rrugës.
Gjatë inspektimit, Rama u shoqërua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo. Specialistët në terren i paraqitën kryeministrit detaje teknike mbi situatën dhe shkaqet që çuan në rrëshqitjen e segmentit rrugor.
Sipas ekspertëve, shembja e rrugës është shkaktuar nga reshjet e shumta të shiut, të cilat kanë mbingarkuar terrenin dhe kanë provokuar rrëshqitjen e dheut.
Në prononcimin e tij, kryeministri theksoi se situata është interpretuar gabimisht, duke sqaruar se rrëshqitja nuk lidhet me aksin e ri që është në ndërtim.
“Gjithë tollovia e madhe që u bë për shembjen e rrugës është një perversitet shumë i madh, sepse këtu jemi në aksin e ri. Aksi i ri nuk është i ndërtuar këtu, gjurma është këtej dhe nuk ka lidhje me atë atje. Kjo është një rrëshqitje e shkaktuar nga shirat”, u shpreh Edi Rama.
Autoritetet kanë bërë të mundur hapjen e një rruge provizore për të rikthyer qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm që lidh disa zona të juglindjes së vendit./L.F-dritare.net