Salianji: Nuk dua pushtet, dua ripërtëritjen e partisë
Dritare.net

Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shpjeguar qëllimet e lëvizjes së tij brenda partisë.
Salianji theksoi se aksioni i tij politik nuk ka për qëllim marrjen e posteve apo pushtetit:
“Unë nuk synoj asnjë karrige, por pa diskutim kjo lëvizje rriskon disa karrige dhe disa njerëz të cilët janë mësuar t’i marrin gjërat qyl. Unë synoj zgjimin e Partisë Demokratike.”
Ai theksoi se lëvizja ka ngjallur energji dhe pjesëmarrje masive në takime me demokratët në qytete si Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan, duke treguar për një mobilizim të jashtëzakonshëm, madje edhe në zona që më parë nuk shquheshin për mbështetje të PD-së.
“Takimet janë të mbushura, duket që ka një mbështetje masive dhe nuk mund të krahasojmë periudha kur Partia Demokratike ishte në pushtet me periudha ku ajo është sot,” tha Salianji.
Ai e konsideron lëvizjen e tij një betejë parimesh dhe jo personale kundër figurave të njohura brenda PD-së:
“Nuk kam një betejë nominale dhe do të kem një dokument pas takimeve ku do të propozoj të gjithë qëndrimet tona dhe të demokratëve për çfarë duhet të përmirësojmë partinë.”
Salianji kritikoi gjithashtu gabimet strategjike të PD-së në lidhje me kandidaturat dhe mënyrën e marrjes së vendimeve, duke theksuar nevojën për meritokraci dhe ripërtëritje të brendshme:
“Paqartësia strategjike e Partisë Demokratike është e qartë. Partia nuk duhej të jepte asnjë firmë për kandidatura që nuk ishin strategjike.”
Salianji bëri të qartë se mbështetja e tij është më shumë nga demokratët e thjeshtë dhe intelektualët sesa nga struktura zyrtare:
“Unë nuk kam kërkuar mbështetje nga asnjë strukturë. Kam kërkuar mbështetje nga demokratët. I vetmi pushtet që kam është kontakti me qytetarët dhe mbështetja e tyre.”
Ai paralajmëroi se pas përfundimit të turneut të takimeve, do të japë një qëndrim të plotë për emrat dhe strategjitë konkrete brenda PD-së, duke ruajtur fokusin aktual te parimet dhe përmirësimi i partisë.
Salianji konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen e tij në protestat kundër qeverisë, duke theksuar se mobilizimi qytetar është pjesë e strategjisë për të rritur presionin ndaj qeverisë dhe për të krijuar një alternativë reale opozitare.
“Unë do jem në çdo protestë kundër qeverisë. Protesta është mënyra për të treguar revoltën ndaj korrupsionit që ka ngritur sistemi,” tha Salianji./K.C/dritare.net