Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykata e Lartë shqyrton ndryshimin e praktikës për arrestin në burg

Gjykata e Lartë shqyrton ndryshimin e praktikës për arrestin

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur për të shqyrtuar një çështje të rëndësishme që lidhet me ndryshimin e praktikës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, veçanërisht kur ajo bazohet në rrezikshmërinë e veprës penale.

Seanca u vendos të zhvillohet në dy faza, ku pjesa e parë të jetë publike me fokus unifikimin e praktikës gjyqësore, ndërsa pjesa e dytë me dyer të mbyllura për një rast konkret të të pandehurit Bektash Zeneli, i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Në thelb të diskutimit është rishikimi i një vendimi unifikues të vitit 2011, i cili deri më sot është zbatuar gjerësisht nga gjykatat shqiptare për caktimin e masave të sigurisë. Sipas relatorit të çështjes, Ilir Panda, praktika aktuale ka nevojë për përditësim për t’u përshtatur me ndryshimet ligjore dhe standardet bashkëkohore.

Një nga pikat kryesore të debatit është barra e provës për vendosjen e masës së arrestit në burg. Prokurori Arqile Koça argumentoi se, në përputhje me ndryshimet ligjore dhe standardet e Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, kjo barrë duhet t’i takojë prokurorisë dhe jo të pandehurit.

Sipas tij, arresti në burg duhet të konsiderohet si masë e fundit dhe të vendoset vetëm kur alternativat e tjera janë të papërshtatshme. Ai theksoi gjithashtu se vendimet për masa shtrënguese duhet të jenë të arsyetuara dhe në përputhje me proporcionalitetin e veprës penale.

Megjithatë, gjatë diskutimeve u ngrit edhe shqetësimi për zbatueshmërinë e masave alternative në praktikë. Prokurori theksoi se në shumë raste, masat si arresti në shtëpi apo garancia pasurore hasin vështirësi në zbatim, duke rrezikuar shmangien e të pandehurve nga drejtësia.

Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë kërkoi sqarime mbi nevojën konkrete të ndryshimit të praktikës, duke vënë në dukje rëndësinë e balancimit mes mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të të drejtave themelore të individit./L.F-dritare.net