Siguria ushqimore dhe qumështi! Ja diskutimi Braçe-Ministri Salla
Dritare.net

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua interpelanca nga Erion Braçe me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla.
Gjatë fjalës së tij, ministri nënvizoi se sektori i qumështit në Shqipëri mbetet i fragmentarizuar, i dominuar nga ferma të vogla familjare me 1–3 krerë gjedh. Sipas të dhënave, vetëm rreth 4,500 ferma kanë më shumë se tre krerë, ndërsa prodhimi total i qumështit arrin në rreth 1 milion ton në vit.
Ministri pranoi se kjo strukturë sjell sfida konkrete, veçanërisht në kontrollin e cilësisë, ruajtjen e zinxhirit të sigurisë ushqimore dhe gjurmueshmërinë e produkteve.
Sa i përket standardeve, ai deklaroi se Shqipëria ka arritur të përafrojë legjislacionin për sigurinë ushqimore me atë të Bashkimit Europian, në kuadër të Kapitullit 12. Kontrolli kryhet nga disa institucione, përfshirë AKU, AKVMB dhe laboratorët rajonalë, duke mbuluar të gjithë zinxhirin “nga ferma në tryezë”.
Në vend operojnë 262 stabilimente përpunimi dhe grumbullimi të qumështit, nga të cilat 215 konsiderohen me risk të lartë dhe monitorohen më shpesh. Gjatë vitit 2025 janë kryer kontrolle në të gjitha këto njësi, duke rezultuar në 45 paralajmërime, 40 gjoba dhe mbylljen e 6 subjekteve për shkelje.
Një nga shqetësimet kryesore të trajtuara nga deputeti socialist Erion braçe, ishte prania e aflatoksinës në qumësht.
Ministri sqaroi se aflatoksina nuk krijohet gjatë përpunimit, por vjen nga ushqimi i kontaminuar i kafshëve, kryesisht nga misri ose koncentratet. Për këtë arsye, kontrollet janë shtrirë edhe në importet e ushqimit për kafshë.
Në përfundim, ai theksoi se siguria ushqimore mbetet prioritet absolut dhe se nuk do të ketë asnjë kompromis kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve, duke kërkuar gjithashtu më shumë transparencë dhe bashkëpunim për të përmirësuar sektorin./L.F-dritare.net