Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë
Dritare.net

Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë këtë të enjte rekursin e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe zëvendësimin e saj me një masë më të lehtë sigurie.
Kërkesa e Veliajt vjen pas vendimit të fundit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat rishikuan vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e arrestit me burg dhe kohëzgjatjen e saj. Vendimi i marrë në unanimitet përcakton se masa e kufizimit të lirisë personale duhet të vendoset vetëm pasi të jenë shqyrtuar realisht alternativat e tjera më të lehta të sigurisë.
Sipas këtij vendimi, gjykata duhet të japë arsyetim të detajuar për çdo rast konkret, ndërsa barra e provës i takon prokurorisë për të justifikuar nevojën e arrestit me burg.
Ndërkohë, edhe Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Gjykatën e Lartë një tjetër kërkesë të Veliajt për liri. Kushtetuesja ka kërkuar që Gjykata e Lartë të argumentojë nëse masa “arrest me burg” është proporcionale me funksionin publik që ai ushtron si kryebashkiak i Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Ndërkohë, SPAK ka dërguar kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim pesë muaj më parë.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg./L.F-dritare.net