Gramoz Ruçi: Një amanet për drejtuesit e rinj të PS-së
Dritare.net

Në fjalën e tij gjatë festës së 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Tiranë, Gramoz Ruçi shprehu mirënjohjen për socialistët dhe votuesit që kanë mbështetur PS-në ndër vite. Ai vlerësoi rritjen dhe forcimin e partisë, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të rinj të qëndrojnë pranë anëtarëve dhe të mbështesin vizionin e Edi Ramës për Shqipërinë 2030 dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
“Pa pikë modestie do të thosha se kjo mirënjohje nuk është për mua, as për shokët e mi, se mirënjohja më e madhe ishin ai besim që na dhanë socialistët në vite për të qenë përfaqësues të tyre. Prandaj mirënjohja ime është për çdo socialist, për çdo votues të PS-së, për çdo drejtues, e kryetarë ndër vite, për çdo deputet të PS. Mirënjohja shkon për Kryesinë e PS-së, për Këshillin Kombëtar, për Grupin Parlamentar, për qeverisjen e PS-së.
Në këtë 35 vjetor kur shohim PS-në në pikëpamje numerike, jo vetëm që nuk është rrudhur, por përkundrazi është shtuar, kurse në pikëpamjen moshore, ndërsa vitet e PS-së rriten, vitet e anëtarësisë zvogëlohen si rezultat i prurjeve të reja. Në aspektin gjinor, ne mrekullohemi, kur e nisëm kishim vetëm një anëtare Kryesie, por sot 50% e anëtareve të Kryesisë janë shoqe, gra dhe vajza. Janë bashkëkryetare kudo. Prandaj ne nga kjo mrekullohemi dhe jemi shpresëplotë që PS-ja sot është më vitale, më e fortë, më progresive dhe mandati i 4 është pak, ajo sigurisht do të sigurojë dhe mandatin e 5.
Prandaj një mesazh, amanet apo merak, quajeni si të doni, për drejtuesit e rinj të Kryesisë, Asamblesë, deputetët e kryetarët e Bashkive do të kisha dy gjëra, e para duajeni dhe mos harroni anëtarin e thjeshtë të PS, duajeni, respektojeni votuesin e PS. Gjendjuni në gëzime dhe hidhërime, në mos ia zgjidhni hallin, qajani atija, miqtë e mi, mos e humbisni kontaktin dhe komunikimi me anëtarët e simpatizantë të PS-së.
Këto kontakte dhe kjo lidhje shpirtërore, e anëtarit dhe simpatizantit, është si puna e gjuhëve të huaja, po e le një ditë të le një javë, po e le një muaj të lë një vit, po e lë një vit të le për tërë jetën si puna ime. Kështu është edhe anëtarësia në parti, kështu është edhe votuesi. E fundit, apel që kam, por jo më pak e rëndësishmja, mbështesni vizionin e Edi Ramës për Shqipërinë 2030. Mbështesni ambicien e Edi Ramës për integrimin në BE. Mbështesni energjitë e Edi Ramës për të qeverisur Shqipërinë akoma më mirë. Mbështesni përkushtimin dhe vendosmërinë e Edi Ramës”, tha Ruçi./K.C/dritare.net