Gjimshiti para miqësores me Izraelin: Maran vjen me ide të reja, të gjithë janë gati
Dritare.net

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për miqësoren ndaj Izraelit, ndërsa kapiteni Berat Gjimshiti, në konferencën e përbashkët me trajnerin Rolando Maran, foli për procesin e përshtatjes me idetë e reja të teknikut italian. Ai theksoi se skuadra ka pasur pak kohë në dispozicion, por ka nisur të kuptojë filozofinë e lojës dhe është e gatshme të japë maksimumin në dy testet e radhës në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, Gjimshiti u ndal edhe te e ardhmja e tij me fanellën kuqezi, duke sqaruar se nuk ka menduar ende tërheqjen nga Kombëtarja dhe se ndjehet fizikisht i gatshëm për të vijuar të kontribuojë në nivele të larta. Sipas tij, objektivi i skuadrës mbetet i qartë: rritja e performancës dhe synimi për pjesëmarrje në turnetë e mëdhenj.
“Kemi objektiva të qarta, për të arritur atë që më parë na dukej e pamundur. Siç shkoi rrugëtimi, ishim shumë afër asaj gjëje që do të ishte shumë e bukur për ne. Me një rifillim, me një staf të ri, jemi e njëjta bazë lojtarësh, me disa të rinj.
Idetë janë të qarta. Me aq pak kohë sa kemi pasur, kemi parë disa gjëra që i do trajneri për këtë cikël të ri. Sa më shumë kohë kalon, aq më mirë bëhet. Jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë atë që do trajneri dhe të bëjmë më të mirën në fushë.
Nuk besoj se është filozofi italiane, por çdo trajner ka idetë e veta, siç ishte Sylvinho, edhe trajneri i ri ka idetë e veta. Është në duart e trajnerit të na japë ato ide që ka.
Të them të drejtën, nuk e kam menduar akoma largimin. Mendoj se është një sinjal pozitiv. Mendoj se do luaj edhe për disa kohë. Trupi dhe i gjithë rrethi është i gatshëm për të luajtur në nivele të larta.
Taktika, pozicioni në fushë ndryshon. Nuk është e thjeshtë të bësh çdo gjë brenda 2-3 ditëve. Ka disa gjëra më të rëndësishme për të bërë në fushë.
Siç e thashë edhe më herët, kishim shumë pak kohë. Por idetë janë të qarta. Për më shumë ju jep përgjigje trajneri. Por besoj se jemi të gjithë gati për të bërë më të mirën në këto dy miqësore. Edhe Izraeli ka pasur një rritje në kohët e fundit. Është një skuadër e mirë.
Nuk është e thjeshtë. Në fund të sezonit, shumë i gjatë për të gjithë, por me një trajner të ri, të gjithë duan të tregojnë veten për një vend në Kombëtare. Nuk është gjë e thjeshtë të veshësh këtë fanellë. Do të synojmë më lart dhe për më mirë. Do të synojmë të kualifikohemi në turnetë e mëdha”, u shpreh Gjimshiti./K.C/dritare.net