Historia e rrallë e familjes së madhe Turtulli, treguar nga stërnipi
Dritare.net
Kristaq Turtulli erdhi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të treguar historinë e familjes së madhe Turtulli. Shkrimtari flet për bamirësitë e Thoma Turtullit, tregon si ia prenë kokën grekët, stërgjyshit të tij që ishte tregtar dhe si e kërcënoi gjyshja e tij priftin grek që të predikonte në shqip ritet fetare në kishën autoqefale.
"Familja ime e nisi tregtinë në vështirësi të madhe. Stërgjyshit tim Llambi Turtulli që merrte mall nga Greqia, ia prenë kokën në Bigëll dhe ia futën në hebe të kalit. Erdhi kali që andej si i çakërdisur në shtëpinë e të parëve të mi. Grekët e kanë pabesinë në gjak, sepse e kemi parë çfarë ka ndodhur edhe vitet e tjera. Kjo familje u ndërtua me sakrifica të mëdha, me gjak, e dinte se cila ishte e mira dhe e keqja. Në vite filloi të ndërgjegjësohej së pari kjo familje, pastaj qyteti. Thoma Turtulli është bamirësi më i madh ballkanik, jo vetëm korçar. Ai ndërtoi me paratë e veta Liceun Francez të Korçës ku studiuan njerëzit që ndritën në tërë universitetet e botës. Ndërtoi me lekët e veta bibliotekën e Korçës. Po ashtu ndërtoi spitalin më të madh, shtëpinë e fëmijës dhe i dhuroi qytetit, kinemanë. Thoma Turtulli sakrifikoi jetën e vet, u sëmur ngaqë nuk u përkujdes për shëndetin e vet, por për popullin e Korçës dhe vdiq i sëmurë. Këta njerëz janë të rrallë. Gjatë viteve ‘30 familja jonë krijoi në qytet ballot dhe karnavalet korçare. Këto ballo ishin me karakter evropian, sepse vetë familja jonë ndërtoi një qytet me tipare evropiane. Prandaj u quajt Korça, Parisi i vogël.
Në vitet ‘20 Fan Noli do të shpallte kandidaturën për deputet në parlamentin shqiptar të asaj kohe. Ai i kërkoi mbështetje familjes sonë. Familja ia premtoi këtë mbështetje dhe ai fitoi. Sidomos gjyshja ime, Dhoksia. U diskutua problemi i gjuhës shqipe dhe Kishës Autoqefale shqiptare në atë kohë. Në kishën e Shën Gjergjit në Korçë asokohe ritet fetare bëheshin në gjuhën greke. Gjyshja ime, në emër të grave shqiptare vajti në kishë dhe i tha priftit: “Këtu i thonë Korçë, i thonë Shqipëri. Nëse nuk i kryen ritet fetare në gjuhën shqipe, ja ku ështe dera dhe ik. Nëse do të rrish, të pret kjo.” Dhe i tregon koburen që kishte në brez. Gjyshja ime ishte shëruese, shëronte komitët. Me dy kobure në brez ngjitej në çardhak që çonte armët dhe kuronte komitët.”, tregoi zoti Turtulli në DritareTV./K.C/dritare.net