
Hyn në fuqi marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë
Dritare.net
Sot, më 1 korrik 2025, ka hyrë zyrtarisht në fuqi marrëveshja e shumëpritur për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës dhe kontributeve për pension mes Shqipërisë dhe Italisë. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga dy qeveritë në janar të vitit 2024 dhe tashmë fillon të zbatohet konkretisht për mijëra qytetarë.
Falë këtij dokumenti, shtetasit shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuar në sistemin e sigurimeve shoqërore në Itali, si dhe shtetasit italianë që kanë punuar në Shqipëri, do të kenë të drejtë të përfitojnë pension duke u marrë parasysh të gjitha vitet e punës në të dy vendet.
Marrëveshja parashikon që periudhat e sigurimit të akumuluara në të dy sistemet do të mblidhen për të përcaktuar të drejtën për pension dhe për të llogaritur përfitimin përfundimtar. Çdo shtet do të llogarisë dhe do të paguajë pjesën përkatëse të pensionit, në përputhje me kontributet e bëra në territorin e tij.
Kjo është një arritje e madhe për komunitetin shqiptar në Itali, i cili përbëhet nga mbi 400 mijë persona, shumë prej të cilëve kanë dekada që punojnë e kontribuojnë në ekonominë italiane. Marrëveshja eliminon pengesat burokratike dhe garanton të drejtat e fituara nga puna dhe kontributet, duke siguruar trajtim të barabartë për punëtorët shqiptarë dhe italianë.
Institucionet përgjegjëse në të dy vendet kanë nisur publikimin e informacioneve praktike për mënyrën e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të ndjekin udhëzimet zyrtare për të përfituar nga kjo marrëveshje e rëndësishme./K.C/dritare.net

















