Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

I doli emri te dojsa Epstein! Norvegjia nis hetimet për Jagland!

I doli emri te dojsa Epstein! Norvegjia nis hetimet për Jagland!

Norvegjia ka nisur një hetim për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të vendit, Thorbjørn Jagland, lidhur me lidhjet e tij të dyshuara me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Një njësi speciale e policisë norvegjeze, Økokrim, e cila po analizon dokumentet e sapo publikuara në SHBA për çështjen Epstein, bëri të ditur se 75-vjeçari dyshohet për “korrupsion të rënduar”.

Autoritetet kanë kërkuar tashmë nga Ministria e Jashtme që të nisë procedurat për heqjen e imunitetit të Jaglandit, të cilin ai e gëzon për shkak të rolit të tij të mëparshëm si diplomat i lartë ndërkombëtar.

Thorbjørn Jagland ka mbajtur disa poste të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë atë të kryetarit të Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës për një periudhë dhjetëvjeçare.

Kreu i Økokrim, Pål K. Lønseth, deklaroi se ekzistojnë baza të arsyeshme për hetim, duke pasur parasysh pozicionet që Jagland ka mbajtur gjatë periudhës që mbulohet nga dokumentet e publikuara. Sipas tij, hetimet do të përqendrohen, ndër të tjera, në verifikimin nëse janë marrë dhurata, udhëtime apo kredi në lidhje me funksionet e tij zyrtare.

Policia bëri të ditur se detaje të tjera do të publikohen në një fazë të mëvonshme të hetimit.

Edhe ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, theksoi se është e rëndësishme që faktet të dalin në dritë, duke shtuar se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Evropës heqjen e imunitetit të Jaglandit.

Nga ana tjetër, avokati i tij, Anders Brosveet, deklaroi se klienti i tij do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet dhe shprehu besim për rezultatin e hetimit. Ai shtoi se do t’i paraqesin Økokrim-it dokumentacionin dhe materialet që disponojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Jagland ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996-1997, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës në periudhën 2009-2019 dhe kryetar i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel nga viti 2009 deri në vitin 2015./BBC