Ja situata e përmbytjeve në të gjithë vendin!
Dritare.net

Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë Durrësin dhe disa qarqe të tjera të vendit, situata paraqitet përgjithësisht e përmirësuar, ndërsa akset kryesore rrugore janë të gjitha të kalueshme dhe uji është tërhequr nga pjesa më e madhe e zonave urbane.
Në Durrës, problematikë mbetet zona e ish-kënetës, veçanërisht blloku pranë burgut, ku rreth 100 banesa kanë ende ujë në oborre dhe brendësi. Situatë e vështirë paraqitet edhe në Shkozet, në lagjen 14. Deri më tani janë evakuuar 18 familje me rreth 60 persona, të cilët janë sistemuar në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Ekipet e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësve dhe ujësjellës-kanalizimeve vijojnë punën për rikthimin e normalitetit.
Në Lezhë dhe Kurbin, reshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët, duke ndikuar në përmirësimin e situatës. Uji është tërhequr në shumicën e zonave urbane dhe ka rënie të nivelit të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër. Në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun llogaritet rreth 2 600 hektarë, me 150 banesa të rrethuara ende nga uji.
Ndërkohë, situata mbetet problematike në qarkun e Gjirokastrës. Aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, si dhe rruga Gjirokastër–Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut. Në terren ndodhen punonjësit e firmave mirëmbajtëse që po punojnë për hapjen e rrugëve. Në qytetin e Gjirokastrës ka prezencë të madhe inertesh, të cilat kërkojnë mjete të rënda për largim.
Niveli i lumit Vjosa në Memaliaj ka arritur në 6.5 metra, ndërsa nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen emergjenca. Një natë më parë, Gjirokastra u paralizua nga reshjet e dendura, ku dalja nga shtrati e përroit të Ficos përmbyti lagjen “18 Shtatori”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në biznese. Ujërat u tërhoqën gjatë mesnatës, ndërsa bashkia ndërhyri me fadroma për pastrimin e zonës.
Aktualisht, reshjet kanë ulur intensitetin në të gjithë vendin./L.F-dritare.net