Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kozeta Mamaqi: Si mësova të jetoj me dhimbjen!

Kozeta Mamaqi: Si mësova të jetoj me dhimbjen!

Në një rrëfim të rrallë në podcastin “Pa komplekse me Elionin”, në bashkëpunim me DritareTV, Kozeta Mamaqi ka folur hapur për dhimbjen e madhe që mbart prej humbjes së djalit të saj, Sokol Olldashi, në nëntor të vitit 2013.

Me një ndjeshmëri të thellë, ajo tregoi se si humbjet e njëpasnjëshme e kanë bërë të reflektojë mbi jetën dhe dhimbjen: “Humba kaq shumë njerëz të dashur. Ndoshta jetëgjatësia është një mallkim, por dhimbja të bën shumë më të ndjeshëm.”

Mamaqi pranoi se emocionet e saj janë bërë më të forta me kalimin e kohës. “Kur dëgjoj histori të ngjashme, nuk më rreshtin lotët. Janë lot shpirti, lot të vërtetë,” u shpreh ajo.

Për të shpjeguar ndikimin e dhimbjes, ajo solli një metaforë të thjeshtë, por domethënëse: një i varfër që, i zhytur në hallet e jetesës, nuk arrin të shijojë bukuritë e natyrës si një i pasur pa shqetësime. “Kështu është edhe puna e dhimbjes,” tha ajo, duke shtuar se përgjegjësitë dhe vuajtjet e bëjnë njeriun më të ndjeshëm dhe më të thellë në përjetime.

Megjithatë, ajo theksoi edhe forcën që njeriu zbulon brenda vetes në momente të tilla: “Nuk e besoja që mund të jetoja edhe një ditë pa të... por ja ku jam.”

E pyetur për lumturinë, Mamaqi u shpreh skeptike ndaj këtij koncepti: “Nuk besoj te lumturia si diçka e vazhdueshme. Njeriu ka vetëm grimca të bukura në jetë, por jo lumturi të përhershme.”

Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e fortë e përballjes me dhimbjen, por edhe e forcës njerëzore për të vazhduar përpara, pavarësisht humbjeve të mëdha./L.F-dritare.net