
Krijohet Korpusi Elektronik i Gjuhës Shqipe në Shën Petersburg. Flet albanologu rus!
Dritare.net

Një punë e jashtëzakonshme dhe me shumë rëndësi për gjuhën tonë është krijimi i Korpusit të Gjuhës Shqipe nga Katedra e Gjuhësisë në Shën Petersburg. Albanologu Alexander Rusakov i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregon se është dashur një punë dhjetëvjeçare për të ndërtuar këtë korpus që përmban 180 milionë fjalë shqip nga qindra mijëra tekste gazetareske, shkrime letrare dhe tekste të shekullit të 20-të.
“Puna më e rëndësishme këto dhjetë vitet e fundit ishte krijimi i Korpusit Elektronik i Gjuhës Shqipe. Albanian National Corpus, i krijuar nga Katedra e Gjuhës Shqipe në Shën Peterburg.
Është një përmbledhje e teksteve të zhanreve të ndryshme dhe shërben edhe për studimet e ndryshme të albanologjisë. Tani korpusi është i hapur për njerëzit në internet. Kemi dhe versionin e fundit që nuk është hapur ende, por do të hapet verën e këtij viti.
Korpusi mban rreth 180 milionë fjalë, të teksteve të ndryshme. Pjesa më e madhe është gazetari shqiptare, por ka dhe gazetari nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kemi edhe tekstet letrare, sidomos nga shekulli i kaluar e deri të ditët tona, ka edhe tekste shkencore. Ky korpus është ndërtuar në bashkëpunim me kolegë në Shqipëri, Rusi, dhe Kosovë. Kryesorja është që nuk është vetëm përmbledhje tekstesh. Po është bibliotekë elektronikë, ama në këtë korpus, çdo fjalë nga këto tekste është anatemuar me të gjitha karakteristikat gramatikore, pjesa e ligjërimit dhe forma gramatikore: (P.sh; flet, folje, koha e tashme, veta e tretë numri njëjës, mënyra dëftore etj.)”, thotë albanologu në DritareTV./K.C/dritare.net

















