Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Albanologu rus: Edhe në Rusi ka pseudogjuhëtarë, por nuk i sheh në TV!

Albanologu rus: Edhe në Rusi ka pseudogjuhëtarë, por nuk i sheh

Albanologu Aleksandër Rusakov i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, tha se pseudogjuhëtarët që flasin për shqipen, mund të mos ndikojnë në faktet gjuhësore me tezat e tyre, por po baltosin përmes sulmeve të tyre figura të rëndësishme në Shqipëri, si shkencëtarë e gjuhëtarë, nga Eqerem Çabej te studiuesit e sotëm.

“Unë i lexoj polemikat që dalin për lashtësinë e gjuhë shqipe. Njerëzit seriozë duhet të merren me punimet shkencore të tyre dhe jo të diskutojnë për këtë çështje sepse ne dimë që të gjitha gjuhët janë të së njëjtës lashtësi. Kam parë profesoreshë Anila Omarin që foli javën e kaluar në këtë emision, një nga studiueset më të njohura të gjuhës shqipe. Ne mund të flasim për lashtësinë e gjuhës së shkruar, gjuhë të vjetra, si greqishtja, ose gjuhë që kanë shkrimin që nga shekulli 20 dhe nga kjo pikëpamje shqipja nuk është një gjuhë shumë e lashtë si gjuhë e shkruar. Sepse tradita e së shkruarit shqip filloi nga Meshari i Gjon Buzukut. Asnjë gjuhëtar serioz nuk bën definicione të tilla, gjuhë e lashtë dhe gjuhë më pak e lashtë. Në këtë artikull të revistë Sience, nuk thuhet fare për lashtësinë e gjuhës shqipe. Sepse ai është artikull shkencor dhe bazohet në parime shkencore. Atje nuk thuhet se gjuha shqipe është e lashtë, por tregohet koha e divergjencës së gjuhëve indoevropiane, secila degë e kësaj familjeje filloi zhvillim e saj më herët ose më vonë, por kjo nuk është çështje e lashtësisë së gjuhës.
Ka shumë pseudogjuhëtare kudo. Edhe në Rusi ndodh ashtu sikurse po ndodh së fundmi në Shqipëri. Njerëzit pa ndonjë përvojë profesionale merren me etimologjinë, thonë se kanë zbuluar monumente shkrimore të vjetra, por në që fakt ato nuk janë të vërteta dhe nuk ekzistojnë. Ne kemi shumë të tillë në Rusi, jo vetëm flasin por edhe botojnë libra. Janë të ngjashëm me turboetimologët në Shqipëri por në ndryshim nga këtu, ka shumë pak njerëz që i ndjekin dhe i besojnë. Kjo edhe për shkak se në Rusi është e pamundur të dalësh dhe të flasësh në TV për teza të pavërtetuara.
Në Rusi është shumë e përhapur një ide historike e Anatoly Fomenko. Ai ishte një shkencëtar shumë serioz në fushën e matematikës, por në një moment të karrierës së tij u mor me historinë. Ai hodhi tezën se antikiteti është trillim dhe nuk ekziston. Ai e provon këtë me metodat matematike. Ai thotë se Aleksandri i madh dhe Skënderbeu janë një njeri i vetëm. Këtë tezë e thotë për shumë figura historike. Idetë e tij janë përhapur shumë në kohën e bashkimit sovjetik por ekzistojnë ende sot, te njerëzit që e kanë ndjekur dhe besuar se kjo është një tezë e vërtetë, ndonëse është krejtësisht e kundërta.
Në Shqipëri nuk di ta vlerësoj dëmin real që bëjnë pseudogjuhëtarët. Por ajo për të cilën më vjen keq është që po sulmohen figura të rëndësishme, si shkencëtarë e studiues. Më vjen keq që po hedhin baltë mbi një figurë tejet të rëndësishme të albanologjisë, si Eqrem Çabej. Një shkencëtar që edhe në kohët më të vështira, punën e tij e ka bërë në mënyrë tejet profesionale, ndaj për ne është një figurë e shkëlqyeshme që e ngriti lart fushën e kërkimit shkencor në Shqipëri.”, u shpreh Aleksandër Rusakov në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV./L.F-dritare.net