
Legjenda e kupës së Gralit që fshihej mbi Kanionet e Osumit!
Dritare.net
Nëse shkon në Skrapar pa dyshim që do mbetesh i habitur nga ato që do shohësh. Për Kanionet e Osumit ke parë e dëgjuar në televizor apo dhe i ke vizituar, ama për tunelet kur strehoheshin komunistët, vendin ku u fsheh thesari i Shqipërisë, Vrimën e Nuses apo Mullirin e Babait nuk ke dëgjuar.
Stafi i DritareTv shkoi këtë fundjavë në Skrapar dhe xhiroi gjithë mrekullitë e legjendat që fshihen në Çorovodë, siç është edhe historia e Mullirit të Babait. Apo edhe e kishës së vjetër mbi kanione, ku thuhej se fshihej kupa e Gralit të Shenjtë.
“Këtu jemi te Mulliri i Babait. Quhet kështu pasi ka qenë një mulli i vjetër, i cili plotësonte nevojat e fshatrave përreth. Mulliri e merrte ujin me një kanal që kalonte te lumi. Ky kanal është i thellë 4-5 metra dhe është hapur i gjithi me daltë me dorë. Bashkia e ka në plan ta ndërtojë serish një mulli këtu dhe shpresojmë që ta realizojmë.
Këtu lart kanalit të mullirit ka qenë një kishë e vjetër erenite. Rrënojat e kishës ishin shumë të bukura. Por fatkeqësisht në 1997-ën kërkuesit e arit e shkatërruan. Njerëzit mendonin se në rrënojat e asaj kishe kishin fshehur ar. Madje thuhet se kishin gjetur një kupë edhe thonë se është kupa e Gralit të Shenjtë. Pra sikur Grali ishte fshehur në kanione.”, tregoi për gazetaren Rudina Xhunga, përgjegjësi i sektorit të turizmit në Skrapar, Zoti Krenar Xhaferri./K.C/dritare.net

















