Magjia e përrallave zbret në Cirkun Kombëtar. Tre ditë spektakël në Teatrin Eksperimental
Dritare.net

Në një atmosferë plot ngjyra, emocione dhe fantazi, Cirku Kombëtar solli për publikun një nga shfaqjet më të veçanta të sezonit: “Përrallat në Cirk!”, një produksion që ndërthur botën e përrallave me artin e akrobacisë dhe performancës skenike.

Shfaqja u vu në skenë në ambientet e Teatrit Eksperimental, në tre ditë: më 24, 25 dhe 26 prill, duke tërhequr një publik të gjerë familjar, fëmijë dhe dashamirës të artit skenik.
Në këtë spektakël unik, personazhe të dashura të përrallave marrin jetë përmes një gërshetimi të veçantë mes teatrit, vallëzimit dhe numrave akrobatikë, duke krijuar një botë magjike ku fantazia dhe realiteti ndërthuren në mënyrë harmonike.

Produksioni u realizua nën drejtimin artistik të Olta Ahmetaj, me një ekip të gjerë profesionistësh që sollën në jetë çdo detaj të shfaqjes. Kostumet u realizuan nga Ilirijana Xhake, skenografia nga Taulant Hoxha, ndërsa grimi nga Brikena Xhafa. Projeksionet skenike u përgatitën nga Tea Beluri, muzika nga Sajmir Cili dhe libreti nga Arjola Buzi.

Në skenë performuan mjeshtrat e cirkut Uljan Xhani, Brunilda Demollari, Alketa Haxhiu, Fitnete Duro dhe Eris Hoxha, të cilët sollën numra të spikatur akrobatikë dhe performanca që mbajtën publikun të mbërthyer deri në fund. Në shfaqje mori pjesë gjithashtu edhe “Studio Dance 3 Hapat”, duke shtuar dinamizëm dhe energji në skenë.

“Përrallat në Cirk!” u prit me interes të madh nga publiku, duke u konsideruar si një përvojë artistike gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat, ku arti i cirkut dhe magjia e përrallave bashkohen në një skenë të vetme.

Një udhëtim i vërtetë në botën e imagjinatës, ku çdo skenë shndërrohet në një aventurë të paharrueshme./dritare.net