
NATO ka deklaruar se nuk ekziston asnjë dispozitë që lejon pezullimin apo përjashtimin e vendeve anëtare, pas raportimeve se Shtetet e Bashkuara mund të kërkonin masa ndaj Spanjës për qëndrimin e saj lidhur me konfliktin me Iranin.
Sipas Reuters, një zyrtar amerikan ka thënë se një email i brendshëm i Pentagonit sugjeronte masa të mundshme ndëshkuese ndaj aleatëve që, sipas Uashingtonit, nuk kanë mbështetur mjaftueshëm fushatën amerikane. Mes sugjerimeve përmendej edhe rishikimi i qëndrimit të SHBA-së për Ishujt Falkland.
Megjithatë, një zyrtar i NATO-s i tha BBC-së se traktati themelues i aleancës “nuk parashikon asnjë mundësi për pezullim apo përjashtim të anëtarëve”.
Qeveria spanjolle ka hedhur poshtë raportimet, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez tha se vendi i tij bashkëpunon me aleatët “brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare”.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Pentagonit u shpreh se SHBA po shqyrton “opsione të besueshme” për të siguruar që aleatët të përmbushin angazhimet e tyre, duke kritikuar disa vende europiane për nivelin e ulët të përfshirjes.
Çështja vjen në një moment tensionesh brenda NATO-s, ndërsa disa zyrtarë amerikanë kanë kritikuar publikisht aleatët europianë për kontributin e tyre në operacionet e fundit ushtarake./K.C/dritare.net