Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mbyllet mbledhja për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, kandidatët prezantojnë platformat

Mbyllet mbledhja për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK,

Pas një maratone 6-orëshe, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përfunduar mbledhjen ku katër kandidatët për drejtimin e SPAK prezantuan platformat e tyre. Mandati i kreut aktual të SPAK, Altin Dumanit, mbaron më 18 dhjetor.

Kandidatët në garë janë Elvin Gokaj, Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho, të cilët para anëtarëve të KLP-së paraqitën vizionet dhe prioritetet e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Mbledhja u zhvillua me dyer të hapura për mediat, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të trupit diplomatik, përfshirë të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato dhe ambasadorin britanik Nicholas Abbott.

Xholi: Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

I pari që paraqiti platformën ishte Adnan Xholi, i cili premtoi intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar domosdoshmërinë e çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi se mbrojtja e prokurorëve nga sulmet e padrejta do të jetë një ndër prioritetet kryesore.

Musabelliu, gruaja e parë në garë për kryeprokurore të SPAK

Doloreza Musabelliu, kandidatja e parë femër që garon për drejtimin e SPAK, deklaroi se synon të sjellë integritet, vizion dhe vendosmëri në krye të strukturës. Ajo u shpreh se objektivi i saj është një drejtim i pavarur, profesional dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete në hetimin e çështjeve të rëndësishme.

Në mbledhje prezantuan gjithashtu edhe kandidatët e tjerë, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho, të cilët paraqitën planet e tyre për funksionimin efektiv të strukturës dhe rritjen e rezultateve në hetimet e nivelit të lartë.

Altin Dumani drejton SPAK-un që nga dhjetori 2022 dhe nuk ka të drejtë rikandidimi, sipas ligjit që parashikon një mandat 3-vjeçar pa mundësi ripërsëritjeje. KLP do të zgjedhë drejtuesin e ri duke u bazuar në përvojën e kandidatëve në hetimet ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, vizionin, si dhe integritetin dhe imazhin profesional.

Fitues shpallet kandidati që merr më shumë vota nga anëtarët e Këshillit. Nëse dy ose më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, zhvillohet një raund i dytë votimi mes tyre./L.F-dritare.net