Midis Tiranës dhe New York-ut, flet për herë të parë Stela Tata, ekspertja e tregut imobiliar
Dritare.net

Intervistoi: Eraldo Xhelili
Rrugëtimi i Stelës.
Për herë të parë prononcohet realtor Stela Tata, që e ndërtoi karrierën e saj mes Tiranës, Irakut dhe New York-ut.
Stela më thuaj: pse tani? Pse ishte pikërisht ky momenti që ti pranove të japësh një intervistë publike?
Së pari, faleminderit për ftesën për intervistë, është kënaqësi për mua të intervistohem nga ju.
Së dyti, arsyeja që unë kam zgjedhur të flas në këtë moment është sepse mendoj se kam arritur një farë pjekurie dhe kam ndërtuar një karakter më të fortë.
Kjo si pasojë e eksperiencave të mia sociale dhe profesionale midis kulturave të ndryshme, si shqiptare, europiane, lindje e mesme dhe perëndimore, ku jam stacionuar sot si agjente imobiliare.
Është një kompleksitet faktorësh që më kanë bërë të ndihem gati tani dhe mendoj që është një temë shumë e gjatë për ta përmbledhur në një përgjigje.
Megjithatë, dua të them që vjen një moment ku ti e ndien së brendshmi që je gati, dhe për mua ky ishte momenti.

Stela, njerëzit që do të na lexojnë duan të dinë të vërtetën. Pse u largove nga Tirana, nga Shqipëria? Çfarë ndodhi?
Është temë delikate kjo, pasi prek jo vetëm një brez, por më shumë.
Por meqë po më kërkohet e vërteta dhe unë e ndiej detyrimin moral për ta thënë. Pasi u ktheva nga Gjermania pas studimit të gjuhës gjermane, u riktheva në Shqipëri. Aty studiova për degën Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Është një degë shumë e bukur dhe të rrit goxha pritshmëritë mbi të ardhmen profesionale, por realiteti shqiptar nuk përputhet me këto pritshmëri.
Pasi përfundova studimet Bachelor, fillova të aplikoja në disa vende, madje në shumë vende kam shkuar me referim, por nuk mora asnjë përgjigje. Kjo situatë zgjati gati një vit. Ky lloj realiteti më rëndoi goxha emocionalisht. Ky ka qenë momenti ku më lindi ideja të aplikoja për punësim jashtë vendit tim. Meqë e vërteta duhet thënë, le ta themi: Unë pasi aplikova në një kompani turke për air conditioning & fans (kondicionim i brendshëm), u kualifikova direkt. Edhe pse e dhimbshme për t’u thënë, u prita shumë herë më mirë nga të panjohur sesa nga të njohur. Një pjesë të karrierës sime, rreth dy vite, e kam kaluar në (Kurdistan) Irak, midis viteve 2012 dhe 2014. Ka qenë një vend në zhvillim gjatë asaj periudhe, po bëheshin shumë ndërtime. Jeta sociale dhe profesionale ka qenë goxha e këndshme për mua, jam ndjerë e mirëpritur në detaj. Vetëm temperaturat shkonin deri në 60 gradë, dhe duke ardhur nga Shqipëria me një klimë gati perfekte, kjo gjë ma vështirësoi disi qëndrimin.
Jo shumë e bukur për tu thënë po e vërtetë, vendet të tjera, qoftë edhe jo shumë të përparuara ose me kulturë perëndimore e kanë tregun e punës më të konsoliduar, mund të punësohesh vetëm nga një aplikim në një website, nëse ti i plotëson kriteret. Tregu i punës në Shqipëri për mua ishte i padrejtë, por kjo është një eksperiencë subjektive nul dua ta përgjithësojë. Unë prapë shpresoj për vendin tim dhe uroj të ndryshojë. Si e shikoj inë është që kudo në botë funksionojnë connections, miqtë, nepotizmi etj., por jo si aty. Kjo gjë duhet të ndryshojë, të paktën të zbutet disi.
E dëgjojmë shpesh këtë fenomen në Shqipëri: nepotizmi, miku, etj. Si ka qenë përvoja jote në New York në këtë aspekt? A je përballur edhe atje me sfida të këtij lloji?
Eh, duhet thënë, New York-u është shumë ndryshe. Ka vështirësi, por vështirësia është që duhet të përgatitesh shumë. Para një interviste duhet të japësh maksimumin tënd gjatë procesit të kualifikimit. Punësimi lidhet drejtpërdrejt me aftësitë e individit dhe jo me cilën parti je, fëmija i kujt je, etj. Procesi i punësimit fillon gjithmonë i dixhitalizuar dhe kjo të jep edhe një lloj sigurie nga këto fenomene. Por New York-u është New York, nuk ia vlen të bëjmë kaq krahasime, sepse nuk dua të tregohem as e padrejtë me tregun e punës në Shqipëri.

Nëse do t’i rendisje eksperiencat e tua në vendet e ndryshme ku ke qenë, cila ka qenë eksperienca më e keqe dhe cila më e bukur?
Ndër eksperiencat më të bukura dhe multidimensionale është New York-u. Tregu i punës këtu më ka sfiduar me lloje të ndryshme eksperiencash si retail, sales, office admin, etj. Këtu të ofrohet shumë mundësia e punëve part-time dhe full-time. Ke mundësinë të bësh dy punë, pa shkuar në shtëpi e konsumuar deri në detaj. Edhe këtë mundësi e ke, por kjo varet nga individët, sa të gatshëm janë të sakrifikojnë shëndetin e tyre për të ardhurat. Thënë më thjesht, ke shumë opsione dhe je ti që e bën zgjedhjen, gjë që në Shqipëri nuk e gjen as sot, të paktën me sa kam dëgjuar. Pas kësaj rendis Irakun. Kanë qenë eksperienca shumë të këndshme. Madje këshilloj të rinjtë që sa të kenë mundësi të provojnë tregun e punës në kultura të ndryshme, pasi çdo kulturë ka diçka për të ofruar: sekrete profesionale që në fund të udhëtimit nuk janë vetëm komponent CV-je, por edhe elementë kyç mbi strategjinë e zhvillimit të një profesioni. Këto dy eksperienca më kanë rritur shumë, më kanë ndihmuar marrëdhëniet me njerëz dhe profesione të ndryshme si arkitektë, businessmen, investitorë, etj.
Nuk dua ta quaj eksperiencë të keqe, por duhet të them të vërtetën: eksperienca jo më e mirë është vendi im. Ndoshta ka qenë koha e tillë ose momenti i papërshtatshëm për mua për t’u kualifikuar aty ku unë meritoja dhe doja të kualifikohesha.
Le të bëhemi pak më specifik tani, Stela, duke qenë në brendësi të këtij tregu pune, duam të na tregosh: Ku ndryshon Tirana nga New York-u në tregun imobiliar?
Kjo është një temë delikate. Pa filluar, dua të specifikoj që tregu imobiliar në Shqipëri nuk personifikon komplet tregun e punës. Thënë kjo, pasi do të them realisht mendimin tim të sinqertë profesional mbi tregun imobiliar në Shqipëri. Tregu imobiliar i Shqipërisë rrjedhimisht dhe ai i Tiranës ndryshon radikalisht nga ai i New York-ut. Në çdo vend, tregu imobiliar është një pikë kyçe e ekonomisë dhe flet jo vetëm për politikat ekonomike, por edhe për politikat e së drejtës dhe ato sociale. Në Shqipëri, vetë ligji që rregullon këtë profesion dhe këtë treg lë për të dëshiruar. Ky vakum ligjor prek klientin dhe agjentin, duke i lënë të pambrojtur nga reziqet e këtij tregu.

Mund të na japësh dot një çështje më specifike që publiku ta kuptojë më mirë diferencën midis këtij tregu në Tiranë, Shqipëri me atë të New York-ut?
Në New York nuk mund të hapë çdokush një agjenci imobiliare, përtej dëshirës së mirë që ka. Pasi i duhet një buxhet goxha i madh, i cili qëndron veçmas për problematika gjatë rrugës. Në kontratat e qirasë (ku tregu imobiliar i New York-ut është shumë i përqendruar), ka shumë detaje që sigurojnë mbarëvajtjen e pronës dhe rrjedhimisht krijojnë siguri si për agjentin ashtu edhe për klientin. Nëse ndodh, shumë rrallë, por ndodh, që dëmtimi i pronës të kalojë vlerën e depozitës, kompania e bën gati pronën që të dalë në treg sa më shpejt, pa e cenuar klientin. Prona del në treg dhe klienti është i sigurt, pasi prona qëndron aktive dhe më pas vijohet me procedurat ligjore për dëmshpërblimin që ndiqen në kohë rekord. Në Tiranë kam parë klientë në mes të rrugës pas situatave të tilla, madje edhe agjentët që bashkëpunojnë me kompani të të papërgjegjshme kam parë të pësojnë ulje kredibiliteti dhe jo për faj të tyre. Të mendosh që një agjenci në Shqipëri merr 40%, 50% apo 60% të shumës totale të vlerës së shërbimit, vetëm për të ngritur një databazë online dhe për të marrë disa zyra me qira, kjo është aspak profesionale dhe aspak etike. E vetmja e përbashkët e Tiranës dhe New York-ut është rritja e çmimeve. Aktualisht këtu ka rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, sidomos në Manhattan. Kjo ndodh kryesisht për interes investimi, por ka zona residentiale si Brooklyn dhe Queens ku mund të gjesh shtëpi brenda buxhetit fillestar të klientit. Për ta përmbledhur: ndryshe nga New York-u, Tiranës, Shqipërisë, i mungon rregullatori ligjor dhe integriteti i agjencive imobiliare. Nuk dua të vendos askënd në pozitë. Ndoshta po të isha në Shqipëri, pa u integruar në një treg solid, edhe unë mund të bëja të njëjtën gjë. Por sot, kurrë. Janë eksperiencat e mia profesionale që më kanë bërë këtë që jam sot. Ky është mendimi im profesional mbi pyetjen tuaj.
Çfarë sugjeron Stela, bazuar në përvojën e saj ndërkombëtare, për agjencitë imobiliare në Shqipëri? Dhe çfarë sugjeron konkretisht për agjentët imobiliarë?
Për agjencitë imobiliare, këshilloj çdokënd që është në start-up: nëse ka dëshirë për një biznes solid, të marrë shembuj solidë. Përndryshe, të ardhurat e shpejta pa siguri kanë destinacion të përfundojnë shpejt dhe jo mirë. Nëse ligji ka vakum, duhet ta plotësojnë agjencitë me integritet. Për agjentët sugjeroj:
– Të informohen mbi ligjin përkatës të kontratave në Shqipëri dhe të shikojnë shembuj edhe jashtë.
– Të bëjnë trajnime mbi komunikimin dhe ndjekje të procesit të shitjes ose blerjes me klientin, duke e informuar këtë të fundit në çdo hap.
– Të njohin terrenin, zonat dhe të kenë informacion mbi demografinë, projektet shtetërore dhe private që mund t’i prekin ato zona.
– Të bëjnë përpjekje konstante dhe të mos dorëzohen në momente delikate.
– Të bashkëpunojnë me agjenci që ofrojnë integritet, edhe pse kjo është e vështirë në Shqipëri, të gjejnë atë agjensi që të paktën plotëson më shumë kritere nga të tjerat, pasi imazhi i agjentir është gjithshka për këtë profesion, bashkpunimi me agjensi të papërgjegjshme duket më e thjeshtë në fillim, por si kemi ne atë shprehjen e urtë: “Dardha e ka bishtin mbrapa” Nëse imazhi dëmtohet, kontrolli i dëmit është shumë po shumë i vështirë!

Stela, ne e dimë dhe na e ke bërë të qartë që në fillim se nuk dëshiron të prononcohesh për këtë temë, por për hir të spotlight-it dhe duke qenë se ka qenë një temë mjaft pikante në Shqipëri para disa kohësh, duam ta sqarojmë edhe për publikun shqiptar, i cili meriton ta njohë më shumë Stelën: Çfarë të lidh ty me Parashqevi Simakun? Si është marrëdhënia jote me të?
Lidhja ime me Parashqevi Simakun ka nisur rreth një vit më parë, kur mamaja ime, Elvira, e takoi rastësisht duke ecur nën Penn Station, një stacion qendror në Manhattan. E njohu Parashqevinë pas një videoje virale që qarkulloi në portalet online, ku pretendohej se ishte ajo. Që nga ai moment e deri sot, unë dhe mamaja ime kemi një lidhje shumë të ngushtë me një nga divat e muzikës shqiptare. Ne takohemi pothuajse çdo ditë me Parashqevinë, jemi pranë saj për çdo gjë. Ajo e di këtë dhe dua që ta dijë edhe nëse e lexon këtë intervistë i them: Është kënaqësia jonë ta mbështesim si nga dita e parë e në vazhdim. Ne duam që ajo të lulëzojë ashtu siç e meriton. Ka një shpirt të bukur. Parashka, unë e di që më do, por dua ta dish që unë të dua edhe më shumë.
Meqë po flasim mes shqiptarësh për shqiptarët, do të ndalemi pak te diaspora. Gjithmonë kemi dëgjuar për diasporën dhe organizimet e saj në ShBA. Ti, si Stela, çfarë marrëdhëniesh ke me shqiptarët e New York-ut? Si të kanë pritur? A takohesh shpesh me ta? A ka ndonjë figurë të veçantë që e respekton më shumë?
Oh, temë më vete kjo e diasporës dhe është shumë e gjatë; mendoj se do ta shtjellojmë herë tjetër. Por do ta përmbledh shkurt: në përgjithësi kam marrëdhënie shumë të mira me shqiptarët jashtë dhe brenda vendit. Diaspora më ka mirëpritur shumë mirë. Por, që të mos mbaj askënd me hatër, dua të specifikoj se, përtej sfidave ekonomike, politike dhe sociale, shqiptarët vazhdojnë të jenë njerëz të bukur, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Unë takohem shpesh me njerëz të ndryshëm; pimë kafe, por edhe kur jemi të angazhuar, mbajmë kontakt përmes telefonit. Një njeri shumë interesant këtu, që unë e kam përzemër është fotografi me famë ndërkombëtare, Fadil Berisha, i cili është një njeri shumë pozitiv, mikpritës dhe i dashur.
Për ta përmbyllur, Stela, nuk dua të të bëj asnjë pyetje specifike. Çfarë do të doje t’u thoje lexuesve pas gjithë këtij bashkëbisedimi?
Ajo që unë dua t’u them të gjithëve që po e lexojnë këtë intervistë, sidomos të rinjve, është që, nëse ju ofrohet një eksperiencë pune apo shkollimi jashtë vendit, ta mendoni mirë. E di që shumë mund të kenë frikëra të ndryshme, por shoqëria e vërtetë, dashuria e vërtetë dhe familja nuk janë kurrë pengesë për më të mirën tuaj. Nëse këto ju duken pengesë, atëherë diçka nuk shkon me to. Shfrytëzojini eksperiencat në vende të ndryshme, pasi të gjitha do të jenë në favorin tuaj. Nëse ju jepet shansi, mos ngurroni të shkëmbeni eksperienca nga vende të ndryshme të botës. Gëzuar Festat e Fundvitit të gjithëve! E di që nuk njihemi, por dua t’ju them se, si pjesë e kësaj bote të përbashkët, nuk jeni vetëm. Përqafime nga New Yorku./dritare.net