Ministri Demo: Paketa e Maleve nuk prek pronat private, synon zhvillimin rural
Dritare.net

Ministri i Shtetit dhe Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka reaguar pas akuzave të opozitës lidhur me “Paketën e Maleve”, duke theksuar se kjo nismë nuk lidhet me tjetërsimin e pronave, por me zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
Pas mbledhjes së qeverisë, Demo u pyet nga gazetarët për deklaratat e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila pretendon se paketa mund të përdoret për privatizimin e tokave shtetërore dhe favorizime klienteliste.
Ministri i hodhi poshtë këto akuza, duke sqaruar se “Paketa e Maleve” është një instrument zhvillimi për zonat rurale dhe nuk përfshin pronat private individuale. Sipas tij, nisma synon të nxisë ekonominë lokale dhe turizmin malor.
Ai shtoi se përfitues të kësaj pakete janë vetëm dy kategori të përcaktuara me ligj: personat që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vite dhe ata me lidhje historike pronësore përmes familjes.
"Paketa e Maleve është një mundësi përsa i përket zhvillimit ekonomik lokal, sidomos atij rural. Nuk bëhet fjalë për zonat urbane. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të kuptohet se nuk përfshihen në asnjë rast prona të cilat janë në pronësi private individuale; kjo përjashton këtë lloj rreziku.
Dhe aq më tepër që dy kategoritë të cilat mund të përfitojnë nëpërmjet Paketës së Maleve janë të përkufizuara saktësisht edhe në ligjin për këtë iniciativë, që ka të bëjë me kategoritë e atyre që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vjet, apo ata që kanë një marrëdhënie me pronën historike të pronësisë, edhe me paraardhësit e tyre.
Prandaj unë besoj shumë që sidomos roli që bashkitë luajnë në territor duhet të kuptohet se ky është një proces dhe një mjet, në fakt, zhvillimi që i është dhënë bashkive për ta përdorur. Jam i bindur që bashkë do të ndjekin të gjitha hapat për të garantuar që ne të kemi rastet e trajtuara ashtu siç ligji parashikon dhe mbi të gjitha për të garantuar zhvillimin ekonomik rural", u shpreh ministri Demo./L.F-dritare.net